Kurti: Të punojmë së bashku, të perfshihemi në çështjet publike të njëri-tjetrit, pa penguar

(Lajm i përditësuar)
Ka përfunduar mbledhja midis Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla e shpalli të mbyllur mbledhjen, pas përfundimit të fjalimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.
Kurti: Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen mes dy kuvendeve, atë të Kosovës dhe Shqipërisë për nder të 110 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka thënë se
“Disa ditë para festës së flamurit, Gurakuqi që kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi shkruante “e kremtja e 28 nëntorit duhet të jetë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen e të bëjmë shqyrtimin e vetëdijes sonë. Në këtë ditë duhet të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim vetën në e kemi bërë gjithëkund e gjithmonë detyrën që e kishim për atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhërimet e armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vllazërisht dorën njëri-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë që sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë” – mbaron citati. I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake edhe këtyre sukseseve. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të shtohen në çdo ditë të flamurit. Ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për sukseset tuaja ashtu gëzohen edhe në Shqipëri për sukseset e Kosovës. Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona e familjet e tyre. E di që nuk po shkoni për qejf, por prej brengës, e di që nuk kemi bërë mjaftueshëm që tua kthejmë besimin në institucione e që fëmijët tuaj ti rrisni në atdheun tuaj, por ju garantoj që këtë betejë do ta bëjmë deri në fund. Ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengesë e prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit. Të punojmë së bashku”, tha Kurti.
Kusari-Lila: Wow! Pamja më e bukur në botë
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se “për më shumë se për formën kjo ditë dhe çdo ditë tjetër e angazhimit tonë duhet të jetë me përmbajtjen e punë edhe përpjekjeve tona për hapësirën tonë shqiptare”.
“Wow! Një pamje impozante – pamja më e bukur në botë. Faleminderit se kolegët e mirë deri më tani nuk e treguam peshën e emocionit që ndiejmë ne nga Kosova që kemi ardhur për të mbajtur fjalim nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Për më shumë se për formën kjo ditë dhe çdo ditë tjetër e angazhimit tonë duhet të jetë me përmbajtjen e punë edhe përpjekjeve tona për hapësirën tonë shqiptare. Për mua si një vajzë e lindur dhe e rritur në Gjakovë, e ushqyer me mësimet se kufiri përveçse i përkohshëm, asnjë status tjetër nuk e ka, nuk kam arritur asnjëherë të projektoj zhvillimin e Malësisë pa tërësinë e saj”, tha ajo.
Alibeaj: PD do ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh “PD do ta shohë Serbinë vetëm më syrin e Kosovës”.
Alibeaj tha se ata janë për paqe mes dy popujve dhe kanë mbështetjen për t’u zgjidhur me dialog.
“Kjo mbledhje është e veçantë, unike. Që nga Lidhja e Prizrenit, nuk ka patur përgjatë më shumë se një shekulli, një takim të tillë të përfaqësuesve të popullit shqiptar. Sot në këtë sallë është mbledhur kombi, nga Mitrovica deri në Konispol. Sot ne jemi mbledhur në përkujtim te 28 nëntorit, ditës kur Ismail Qemali ngriti për herë të parë në Vlorë flamurin kuqezi dhe shpalli mëvetesinë e Shqipërisë, e asaj Shqipërie që mbeti nga orekset shoviniste të fqinjeve që coptuan gjysmën e territoreve etnike që coptuan kombin. Lufta e kryengritjet e Kosovës bënë të mundur të mbijetonte shteti i parë shqiptar në gjysmën e territoreve etnike. E kane festuar shqiptarët përgjatë gjithë historisë këtë ditë, dikush si ditë flamuri, dikush si ditë pavaresie. Përsa kohë Kosova ishte e shtypur, as Shqipëria nuk mund të ishte e lirë. E derisa Kosova nuk ishte e pavarur as Shqipëria nuk do të ishte e pavarur.Partia Demokrarike që në ditën e parë të themelimit përgjatë gjithë jetës së saj, në situata ngritje apo rënie, në kushte mazhorance apo opozite e ka patur çështjen e Kosovës e të gjitha sfidat e saj, në qendër të vëmendjes dhe prioritet të angazhimit të saj. PD mbështet pa rezervë institucionet e Kosovës, Presidenten, Kryeministrin, Parlamentin, të gjithë aktorët politikë të Kosoves, në këtë sfidë aspak të lehtë. Ne ftojmë për unitet në këto çaste sfiduese. Unitet brenda Kosoves dhe unitet mbarëkombëtar në këtë betejë të fundit dhe përcaktuese për pavarësi e liri. Jetike për fatet e kësaj beteje është gjithashtu mbështetja e partneriteti i palëkundur me partnerët tanë strategjikë SHBA dhe BE. Çfarë do të ndodhë e sido të jetë, unë dua t’ju jap fjalën e besën se Partia Demokratike do të jetë përherë në krah e në mbështetje pa kushte të vullnetit të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj”, tha ai.
Spiropali: Absurde sesi ekziston regjimi i vizave
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se vendi do të vazhdojë të kërkoj liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një nga avokatet më të zëshme të Kosovës për liberalizimin e vizave. Ne e gjykojmë absurde sesi ekziston regjimi i vizave. Sesi ata që sot në Kosovë kanë moshë gjyshërish lëviznin lirisht në kohën e ish Jugoslllavisë ndërsa nipërit e tyre sot janë të izoluar. Rajoni duket se i ka mbyllur hesapet me luftën por paqja nuk është kurrë një ekuilibër. Dua të përmend një fakt, memorandumet mes Shqipërisë dhe Kosovës po i afrohen numrit, 200. Duhet të dëshmojnë qartë, shpejt në të dy brigjet e Drinit do valëvitet edhe flamuri i Europës. Për ne kjo është e vetmja zgjidhje”, tha ajo.
Tahiri: Populli shqiptar ka në themel idealin e demokracisë
Abelard Tahiri nga PDK ka thënë se “Kosova e Shqipëria kanë në themel idealin e demokracisë”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë heronjë të gjallë të pavarësisë së Kosovës, ata po mbahen larg padrejtësisht e nuk kemi dyshim se do të jenë në mesin tonë. Historinë që bëm me gjak, nuk e ndryshon askush me asgjë, jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Shqipërisë..historia jonë ka tregim besimi në të ardhmen.. e dëshmuam këtë edhe ndaj të tjerëve, e dëshmuam ndaj njëri-tjetrit, kur Shqipëria ishte shtëpi për kosovarët.. do ta dëshmojmë edhe më tutje. Natyrisht se një datë e tillë si 28 nëntori, nuk mund të lëmë anash se populli shqiptar në Kosovë e Shqipëri e ka në themel idealin e demokracisë, duhet të punojmë drejtë..ne duhet të dijmë se çfarë duam në të ardhmen”, tha Tahiri.
Tahiri: Jemi bashkë për të thënë se sa më të fortë shqiptarët aq më shumë merr kuptim paqja në Ballkan
Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se “shekulli 21 është shekulli i shqiptarëve dhe se në data si këto duhet të reflektojmë”
“Sot jemi këtu në një mbledhje solemne për të shënuar e festuar një arritje të madhe e historike, 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kemi folur shumë e kemi thënë se shekulli 21 është shekulli i shqipatarëve. Kosova sot është vend i pavarur, njëkohësisht me një vendim të Gjykatës ndërkombëatre i pranuar ligjërisht. Një ëndërr që u bë realitet falë luftës së UÇK-së. Po ashtu, në këtë moment nuk duhet të harrojmë mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë, në krye me ShBA-të. Ja ku jemi sot, dy kuvendet bashkë në një Shqipëri që është anëtare e NATO-s, është kandidate për të hyrë në BE, është me rëndësi që në këto data të reflektojmë, të themi që rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë. Jemi këtu falë heronjëve tanë. Në këto momente si kjo seancë duhet të reflektojmë drejtë, për shkak se derisa shteti feston 110 vjetorin, Kosovës i ka mbet edhe një copë rrugë, një rrugë që nuk është e lehtë se kemi një armik të vështirë, kemi nevojë për mbështetjen e ktij kuvendi, është më rëndësi të thuhet se këtu jemi bashkë për të thënë se sa më të fortë shqiptarët aq më shumë merr kuptim paqja në Ballkan”, ka thënë Tahiri.
Sveçla: Koha është që hapat tanë të jenë një
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se “ne pësuam më shumë se kushdo, por përpjekjet dhe sakrificat nuk u ndalën deri sa e çliruam edhe Kosovën”
“Pëvoja jonë si shqiptarë nuk ka qenë e qetë, ne nuk përjetuam periudha të gjata e të qeta të ndërtimit të shtetit tonë. Ne pësuam më shumë se kushdo, por përpjekjet dhe sakrificat nuk u ndalën deri sa e çliruam edhe Kosovën. Ne vepruam  si një popull, edhe pse në troje të ndara, dhe sot ne kemi realizuar një shtetim të madh të shqiptarëve. Ashtu siç po i shtojmë e thellojmë marrëveshjet e bashkëveprimit mes nesh, tani është koha më shumë se kurrë që hapat tanë të jenë një”, tha ai.
Nikolla: Kjo orë rikonfirmon thirrjen “një komb, një qëndrim”
Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë se “sot kjo orë e shënuar rikonfirmon thirrjen shpirtërore një komb, një qëndrim, atë të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë, në vigjilje të 28 nëntorit”.
“Teksa ecën nëpër stinë e mote, shqiptarët e gjetën shekullin  e tyre. Asnjëherë nuk i ikën nderit e privilegjit që iu dha emri shqiptar. U bë Shqipëri dhe Kosova, u bënë shqiptarët këndej e andej kufirit qytetarë të denjë të civilizim. Pa dallim feje, krahine dhe ideje, iu falën flamuri kombëtar. Ajo çka ndodhi më 28 nëntor 1912 nuk ishte gjithçka që shqiptarët dëshironin, por ishte guri i themelit mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja. Sot është dita dhe vendi për të kujtuar martirët e burgjeve komuniste, qëndresëtarët, disidentët, klerët, shkrimtarët, të gjithë ata që s’e humbën kurrë besimin te liria”, tha Nikolla, duke uruar gjithë shqiptarët për festën e 28 nëntorit.
Konjufca: Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria e Kosova, aq më lehtë i mbrojnë interesat jetike të kombit
Kryetari i Kuvendit ë Kosovës, Glauk Konjufca tha se ” 28 nëntori ka krejt simbolikën e vet të nevojshme, për të mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara”.
“Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme, për të na mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara. Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. 28 nëntori i mbanë në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë, mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjeprehtësinë e Arbën Xhaferit. Vazhdimisht duket t’i lexojmë ata, sepse mendimi i tyre politik është shumë i vlefshëm në rrethanat e reja të shekullit 21”, tha Konjufca.
Nis mbledhja e përbashkët e kuvendarëve të Kosovës e Shqipërisë
Nën intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit të Kosovës, ka filluar në Tiranë punimet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, organizuar për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë.
Me një fjalë mirëseardhjeje deputetëve të të dyja parlamenteve dhe të ftuarve të tjerë po u drejtohet kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, pas fjalimit të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës: Mimoza Kusari Lila nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Balla nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Abelard Tahiri nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enkelejd Alibeaj, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Mesila Dodka, kryetare e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Ndryshim, Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Mediu, kryetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim.
Në shënim të këtij përvjetori, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore. ​
Deputetët e Kosovës mbërrijnë në Tiranë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur në Tiranë për një mbledhje të përbashkët me kolegët e tyre nga Shqipëria.
Në Kuvendin e Shqipërisë, atyre pritet që t’iu drejtohen edhe Kryeministrat Kurti e Rama.
Për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sot deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të atij të Shqipërisë do të bëhen bashkë në Tiranë.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se në këtë mbledhje deputetëve do t’u adresohen kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Fjalë rasti aty do të kenë edhe dy kryeministrat, i Kosovës Albin Kurti dhe i Shqipërisë Edi Rama.
Pas kësaj, bëhet e ditur do të mbahen edhe aktivitetet të tjera kulturore.
Bëhen bashkë Kuvendet e Kosovës e Shqipërisë, iu flasin Kurti e Rama në festën e Flamurit
Për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sot deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të atij të Shqipërisë do të bëhen bashkë në Tiranë.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se në këtë mbledhje deputetëve do t’u adresohen kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Fjalë rasti aty do të kenë edhe dy kryeministrat, i Kosovës Albin Kurti dhe i Shqipërisë Edi Rama.
Pas kësaj, bëhet e ditur do të mbahen edhe aktivitetet të tjera kulturore./21Media

Back to top button