Bëhet thirrje për kujdes maksimal për qytetarët e Kosovës që janë në Lindjen e Mesme

Ambasada e Kosovës në Riad ka këshilluar shtetasit e Kosovës me qëndrim në Izrael, Emirate të Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Kuvajt, Bahrein dhe Oman që të tregojnë kujdes maksimal për shkak të rritjes së tensioneve në rajon.
Sipas njoftimit, ekziston rrezik i shtuar për përshkallëzim të situatës, gjë që mund të sjellë ndërprerje të udhëtimeve dhe ndikime të tjera të paparashikuara.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin kumtesat zyrtare dhe këshillat e autoriteteve vendore, të informohen përmes mediave zyrtare dhe të shmangin zonat pranë objekteve të sigurisë dhe atyre ushtarake.
Ambasada ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të njoftojë për çdo zhvillim të ri.
Për raste urgjente, shtetasit mund të kontaktojnë numrin emergjent në Riad: +966 53 750 88 35.
Ndërkaq, edhe Ambasada e Kosovës në Katar ka dalë me një njoftim të ngjashëm për qytetarët që jetojnë dhe punojnë atje.
Ambasada në Doha ka theksuar se do të vazhdojë ta monitorojë situatën dhe do të njoftojë për çdo zhvillim të ri. Për raste urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrin emergjent: +974 5055 9453.