​Behramaj për sulmin terrorist në Banjskë: Shpërthim e të shtëna — kuptuam se përballë kishim një grup të organizuar

(Lajm i përditësuar)


​Behramaj për sulmin terrorist në Banjskë: Shpërthim e të shtëna — kuptuam se përballë kishim një grup të organizuar

Para trupit gjykues po dëgjohet dëshmitari, Halim Behramaj, i cili është polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë.

Dëshmitari i Prokurorisë Speciale ka treguar se rreth orës 02:00 përmes radiolidhjes janë njoftuar se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë.

Në pyetjet e prokurorit special, Naim Abazi, Behramaj tha se në 21 vite përvojë pune në Polici të Kosovës, sulm të tillë nuk ka hasur.

“Gjithashtu pas dy tre minutave unë bashkë me kolegun Avni Shala jemi vendosur prapa tyre. Diku 500-600 metra para se të hyjmë në fshatin Banjskë, pasi e kontrolluam vazhduam në drejtim të Banjskës. Kanë qenë tri vetura policore. Në veturën e dytë ka qenë rreshteri Afrim Bunjaku dhe Elez Peci, kurse në veturën e tretë kam qenë unë dhe Avni Shala. Pasi kemi arritur në fshatin Banjskë, vetura e parë është ndal afër barrikadës, pastaj vetura e dytë dhe e tretë 30 metra larg barrikade. Po ashtu, te barrikada ka qenë edhe një veturë e njësisë kufitare’ tojota’. Kemi dalë prej veturës, policët që kanë qenë në veturën e parë vetëm sa kanë arritur te barrikada, në atë moment polici Elez Peci na e ka tërhequr vërejtjen se mund të jetë dhe kemi filluar të shpërndahemi. Vendi ku ishte barrikada dhe ku ishim ne ishte ndriçim i plotë. Ndërsa në fshatin Banjskë ishte errësirë totale. Dhe, pasi kemi filluar të shpërndahemi menjëherë është dëgjuar një shpërthim i madh. Policët që kanë qenë më afër barrikadave janë barrikaduar më afër barrikadës aty. Ndërsa unë edhe Avni Shala jemi kthyer prapa veturës tonë dhe jemi barrikaduar prapa veturës tonë si mburojë. Në të njëjtën kohë me shpërthim ka pasur të shtëna me armë. Menjëherë kemi kuptuar që nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal, pasi pozita prej ku qëllonin dhe armët na bënin të kuptojmë që është një grup i organizuar. E kam vërejtur që rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në rrugë. Ne ishin diku rreth 30 metra larg dhe e kishin të pamundur të afroheshim”, tha ai.

Para trupit gjykues, ai tha se nga gjuajtjet e armëve kanë kuptuar se është një geup i organizuar dhe se armët janë të kalibrave të ndryshëm.

“Në bazë të armëve të përdorura të cilat nga zhurma ke mujt me kuptu qe janë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu ka pasur gjuajtje e armë edhe më të rënda. Pozita ku kanë qenë të vendosura, errësira qe ka qenë në fshat na ka bërë të kuptojmë qe është një grup i organizuar. Që qëllim ka pasur që të bëjë dëm sa më të madh”, tha ai.

Në pyetjen e prokurorit, Naim Abazi, se “a e ndjen vetën të dëmtuar në këtë rast”, dëshmitari Behramaj tha se ndjehet i dëmtuar me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.

“Natyra e punës së policëve është e tillë, ballafaqohemi me rreziqe të ndryshme. I dëmtuar ndjehem se është vrarë kolegu Afrim Bunjaku. Ndërsa unë nuk ndjehem i dëmtuar unë personalisht”, tha ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave. /kp


Polici dëshmon për sulmin në Banjskë: E kuptuam se nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal

Në seancën e së martës në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, zyrtari policor- dëshmitari Halim Behrami, tha se në natën kritike kur ndodhi sulmi, e kuptuan se nuk kishin të bëjnë me një grup të thjeshtë kriminal, por një grup të mirëorganizuar dhe se në sulm u përdorën armë të kalibrave të ndryshëm.

Fillimisht, prokurori special Naim Abazi e pyeti dëshmitarin nëse i kujtohen deklaratat e dhëna lidhur me rastin, për çka dëshmitari e pohoi një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I pyetur se cilat ishin detyrat e tij më 23 dhe 24 shtator 2023 dhe nga kush i ka marrë urdhrat për t’u vendosur në pikën në fshatin Banjskë, Behrami tha se vitet e fundit punon si polic hetues në Njësinë e Trafikut në Mitrovicë dhe se rreth orës 02:00 të natës kritike, në njësinë kufitare kishin marrë informacion se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë.

Pas kësaj, tha se dy njësi kanë vazhduar në Zveçan dhe pas 2-3 minutash ai dhe dy kolegë, pak para se të hynin në fshat ishin takuar me ata, e kishin ndal një veturë dhe pasi e kontrlluan vazhduan së bashku në drejtim të Banjskës.

Behrami tha se kishin qenë tri vetura të policisë, në të dytën ishte rreshteri Afrm Bunjaku dhe një tjetër zyrtar policor. Kurse, në të tretën ishte ky dhe Avni Shala.

Sipas tij, pasi arritën në Banjskë- vetura e parë ishte ndalë afër barrikadës, kurse e dyta 30 metra larg saj. Tha se tek barrikada ka qenë edhe një veturë e njësisë kufitare.

“Jemi dalë prej veture, policët që kanë qenë në veturën e parë veç kanë arrit te barrikada, ne jemi afru diku 15 metra afër barrikadës dhe në atë moment polici Elez Peci më ka tërheq vërejtjen se mund të jetë kurth dhe kemi fillu me u shpërnda”, tha Behrami.

Sipas tij, tek vendi ku ishte barrikada ishte ndriçim i plotë, ndërsa në fshat errësirë totale.

“Posa kanë fillu me u shpërnda është dëgju një shpërthim i madh, policët që kanë qenë afër barrikadës janë barrikadu aty afër barrikadës, ndërsa unë dhe Avni Shala jemi kthy prapa veturës sonë dhe jemi barrikadu prapa saj si mburojë”, tha Behrami.

Polici shtoi se në të njëjtën kohë, kishte shpërthime dhe të shtëna me armë të ndryshme.

“Menjëherë e kemi kuptu se nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal”, tha ai, duke shtuar se këtë e kuptuan nga pozita ku qëndronin sulmuesit dhe armët që përdornin.

Ai tha se sapo ishin barrikaduar, ka parë se rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në rrugë.

“Ne ishim diku 30 metra larg dhe terreni ishte i hapur, e kishim të pamundur me u afru. Nga ajo pozitë ku ishim, Avni Shala e ka kthyer zjarrin pasi kishte një armë automatike, të shtënat vazhdonin pa ndërprerë në drejtim tonin. Kemi pa kolegë tjerë t’u e largu rreshterin nga rruga dhe e kanë vendos në veturën Toyota dhe e kanë nisë në drejtim të Mitrovicës”, tha Behrami.

Sipas tij, edhe policët Sedat Shala dhe Fahri Shala ishin tërhequr me një blindë nga një njësi për reagim të shpejtë. Gjithashtu, tha se nga fshati Izvor kishte shkuar një autoblindë e reagimit të shpejtë të Ferizajt.

Polici tha se ai kishte hyrë në autoblindë, kurse Avni shala kishte vazhduar me veturë në drejtim të Zveçanit.

Prokurori e pyeti nëse sulmi në fjalë sipas tij ishte i zakonshëm apo sulm i mirëorganizuar me qëllim të ndonjë akti terrorist. Po ashtu, e pyeti për llojin e kalibrit të armëve që kishin përdorë sulmuesit.

Por, kjo pyetje u kundërshtua nga avokati Millosh Deleviq, me arsyetimin se është sugjestive. Megjithatë, pyetja u lejua nga gjykata.

“Në bazë të armëve të përdorura nga zhurma, kanë qenë kalibra të ndryshëm, gjithashtu ka pas gjuajtje me armë më të rënda. Pozita ku kanë qenë të vendosur ishte errësirë e plotë në fshat, na ka bërë të kuptojmë se janë një grup i organizuar që kanë pas qëllim me bë dëm sa më të madh”, tha Behrami.

Ai deklaroi se meqë ishte errësirë, nuk kanë mundur të vërejnë ndonjë person apo automjet, por që tek Manastiri kishte drita.

Polici tha se dëmi më i madh për ta është humbja e kolegut Afrim Bunjaku, por që ai personalisht tha se nuk ndihet i dëmtuar bazuar në detyrat e punës.

“Kam 21 vite përvojë pune në Polici, raste të tilla nuk kam has gjatë karrierës sime në përgjithësi”, tha Behrami, duke shtuar se qëndron pranë deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Gjithashtu, ai përsëriti se konsideron se grupi ishte i mirëorganizuar për shkak të vendit ku ishin pozicionuar sulmuesit, barrikadat, fakti që policët kanë qenë në pjesën ku ishte e ndriçuar ndërsa fshati në errëristë, përdorimi i eksplozivit, mortajave të dorës, kalibra të shumtë të armëve automatike dhe nga zhurmat e kanë kuptuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një lloj të armës.

“Zakonisht, në ballafaqime me grupe kriminale, qëllimi i tyre është të shpëtojnë nga policia, por jo të barrikadohen, ky s’ka qenë një rast i tillë, kanë qëndruar për të na sulmuar, sigurisht pasi kanë arritur njësitet speciale, janë detyru me u largu”, tha Behrami.

Ai tha se për shkak të errërsirës, nuk kanë parë pjesëtarë të grupit që janë nis në sulm, por vetëm kanë dëgjuar të shtëna dhe kanë vërejtë lëvizje të veturave.

“Së pari është vendos eksploziv, pastaj kur ka ardhë autoblinda e reagimit të shpejtë ne jemi goditë nga një predhë e murtajës, predha ka rënë afër veturës sonë. Gjithashtu, zhurmët e armëve kanë qenë të ndryshme”, deklaroi polici, duke shtuar se punon që 5 vite në Zveçan.

Në këtë seancë, u bë e ditur se dëshmitarja Dragana Antonjeviq, që ishte planifikuar të dëgjohet, nuk do të dëgjohet sot për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit dhe se e njëjta e ka njoftuar gjykatën se nuk ndihet mirë me shëndet.

Seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit tjetër.


Nis seanca në rastin “Banjska”, pritet të dëgjohen dy dëshmitarë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhe të martën po vazhdon gjykimi ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Në këtë seancë pritet të dëgjohen dëshmitarët Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e 18 korrikut 2025 dështoi në mungesë të dëshmitarit anonim A2. Kurse, ajo e 21 korrikut u mbyll me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, për shkak se do të dëgjohej dëshmitari anonim F1, në mënyrë që të mbrohej identiteti i dëshmitarit dhe procedurës penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në Banjskë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.


Vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Banjska”

Sot vazhdon seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi për rastin Banjska ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, vazhdoi i mbyllur.

Prokurori Naim Abazi kërkoi mbylljen e kësaj seance për publikun, gjatë dëshmisë së dëshmitarit anonim.

Abazi tha se ky dëshmitar gëzon mbrojtje të integritetit dhe se çdo prezantim lidhur me identitetin e tij përbën rrezik për të dhe mund të ketë ndikim në këtë proces gjyqësor.

Seancat përveç sot, mbahen edhe më 24 korrik në gjykim të këtij rasti.

Back to top button