Behrami: Kurti në mënyrë sistematike ka gënjyer SHBA-në

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se për shkak të deklaratave dhe veprimeve të tij po e rrezikon jo vetëm marrëdhëniet me Kosova-SHBA, por edhe shtetësinë mbi të cilën është ndërtuar Kosova në koordinim me SHBA-të. Në një intervistë për rtv21 Behrami tha se SHBA-të kokrrojnë partner serioz.
‘’Reagimi i DASH-it dhe i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë janë dëshmi e gjallë që zoti Kurti tash e pesë vite në mënyrë sistematike ka gënjyer SHBA-të dhe i ka prerë në besë në shumicën e komunikimeve që ka pasur me ta. Nuk ka qenë asnjëherë i koordinuar dhe kjo i rrezikon jo vetëm marrëdhëniet me SHBA-të por edhe themelet e shtetit mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës dhe themelet më të forta ky shtet i ka në koordinim me SHBA-të. Prandaj rrezikimi i marrëdhënieve me SHBA-të është vet rrezikimi i shtetit të Kosovës. SHBA-ja kërkon partner serioz dhe që nuk i gënjen, partnerë që janë në një linjë me strategjinë e tyre për të pasur paqe në Ballkanin Perëndimor’’, u shpreh Behrami.
Deputeti Behrami ka komentuar edhe deklarimet e zyrtarëve të Qeverisë në detyrë dhe të LVV-së të cilën thonë se raportet Kosovë-SHBA janë të relaksuara. Sipas deputetit Behrami kjo është një gjuhë elektorale.
‘’LVV-ja dhe Kurti duhet të jenë më serioz dhe nuk duhet të komunikojnë vetëm me elektoratin e vet duke u munduar të krijojnë iluzione se marrëdhëniet tona me Amerikën janë të mira, kjo nuk i ndihmon vetvetes. Ekspedita e zotit Kurti në Amerikë nuk është dëshmi që ne i kemi marrëdhëniet e mira me SHBA-të dhe ky mashtrim duhet të ndalet, sepse mashtrimet e tilla e rrezikojnë drejtpërdrejt marrëdhënien Kosovë-SHBA. Tallja që ia bënë Kurti dhe LVV-ja SHBA-së është tallje që ka doza të rrezikun edhe për shtetësinë e Kosovës dhe kjo duhet të ndalet sa më shpejtë”, tha ai./21Media