Behrami: PDK nuk shkon më në zyrën e Kurtit për takime

(Lajm i përditësuar)
Behrami: PDK nuk shkon më në Zyrën e Kurtit për takime
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se partia e tij nuk do të zhvillojë takime me kryeministrin Albin Kurti, duke e konsideruar pozicionimin e Glauk Konjufca si mbyllje të derës për marrëveshje politike.
Sipas Behramit, kërkesa e PDK-së ka qenë e qartë: arritja e një marrëveshjeje politike me Lëvizja Vetëvendosje (VV), përmes së cilës PDK do të kishte të drejtën të propozonte një kandidat për president.
“Ne nuk shkojmë fare në zyrë te Albin Kurti. Me pozicionimin e Glauk Konjufcës, ai i ka mbyllur dyert. Kërkesa jonë ka qenë e qartë që të kemi një marrëveshje politike me VV-në, përmes së cilës PDK-ja e ka të drejtën të propozojë një kandidat, i cili jo domosdoshmërisht duhet ta ketë librezën e PDK-së”, është shprehur Behrami.
“Situata është shumë e rëndë”, Behrami paralajmëron protesta dhe mjete tjera demokratike
Deputeti i PDK-së Artan Behraminë ”Click” të RTV21 ka komentuar situatën aktuale politike dhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë edhe protesta masive për të ndaluar këto përpjekje. Ne duhet të mendojmë të përdorim edhe mjete të tjera demokratike që nuk janë përdorur deri sot. Njeriu që e kemi përpara nuk ka as empati dhe hise; ne duhet të gjejmë gjuhën e duhur për t’u përdorur me të. Tani jemi në një situatë shumë të vështirë, shumë të rëndë”, tha Behrami.
Behrami me kritika për Kurtin: Autokracia është rreziku real pas 4 prillit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami në ”Click” të RTV21 ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë transparence dhe për qasje imponuese në raport me opozitën në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas Behramit, Kurti negocion me partitë opozitare “sikur të mos ishin pjesë e të njëjtit realitet politik”, duke mos bërë të qartë qëndrimet e tij për emrin, vizionin apo vlerat që duhet t’i ketë presidenti i ardhshëm.
“Ai nuk tregon se çfarë do, as ku synon të shkojë. Nuk ka emra dhe nuk përmend vlera që duhet t’i ketë presidenti. Kërkon imponim, e imponimet janë derë që shkakton krizë”, është shprehur Behrami.
Deputeti i PDK-së tha gjithashtu se Kurti është i vetëdijshëm për pasojat politike të marrëveshjeve të arritura në Ohër, duke i cilësuar ato si vendime me kosto të lartë politike.
Sipas tij, vendi rrezikon të hyjë në një fazë të re pas 4 prillit, duke paralajmëruar se përqendrimi i pushtetit në një subjekt të vetëm politik mund të dëmtojë funksionimin demokratik të institucioneve.
“Ai kërkon krizë dhe pushtet pa përgjegjësi. Nga 4 prilli, Kosova nga një demokraci parlamentare shumë lehtë mund të shndërrohet në autokraci, nëse ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeministri në detyrë janë nga i njëjti subjekt politik”, ka deklaruar Behrami.
Behrami: Kurti, po të ishte serioz, i duhen dy minuta për ta zgjedhur presidentin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se zgjedhja e presidentit nuk ka qenë kurrë garë politike, por obligim kushtetues i institucioneve të vendit.
Behrami tha se nëse kryeministri Albin Kurti do të ishte serioz në këtë proces, sipas tij, zgjedhja e presidentit mund të realizohej shumë shpejt.
“Zgjedhja e presidentit nuk ka qenë garë kurrë, por obligim kushtetues. Sot, Albin Kurti, po të ishte serioz, i duhen dy minuta për ta zgjedhur presidentin e Kosovës. Me PDK-në dhe me LDK-në sot mund të zgjidhet presidenti, po të ketë seriozitet”, është shprehur Behrami.
Behrami: Presidenti duhet të zgjidhet me konsensus, jo përmes garës politike
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami në ”Click” të RTV21 deklaroi se në të kaluarën zgjedhja e presidentit është bërë gjithmonë përmes marrëveshjeve politike dhe jo përmes garës partiake.
Tutje Behrami tha se PDK ka kërkuar jo vetëm një kandidat, por që propozimi i saj të përfshijë dy emra për postin e presidentit.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se kryeministri Albin Kurti nuk synon zgjidhje konsensuale për çështjen e presidentit, por një garë politike për këtë post.
“Ne e kemi kërkuar jo vetëm një kandidat, por që propozimi i PDK-së të jetë me dy kandidatë. Por, duke i ditur këto trikat e Albin Kurtit, si sot me Glauk Konjufcën, ai nuk dëshiron zgjidhje për presidentin, por dëshiron garë – një garë që për president nuk ka ekzistuar”, tha Behrami.
Ai theksoi se posti i presidentit kërkon konsensus të gjerë politik dhe bashkëpunim ndërmjet partive parlamentare./RTV21/21Media