Behrami për RTV21: PDK e gatshme për një “bllok” opozitar për krijimin e Qeverisë së re

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, ka akuzuar LVV-në për zvarritje të qëllimshme të krijimit të Qeverisë së re. Sipas tij, Albin Kurti në mungesë të numrave nuk është i gatshëm që të adresoj sfidat gjeopolitike në të cilat gjendet Kosova. Në një intervistë për rtv21 Behrami ka thënë se si shkak i politikave të Qeverisë Kurti Kosova është nën sanksione dhe i ka raportet e prishura me SHBA-të.

‘’Zvarritja e krijimit të institucioneve nga LVV-ja i ka dy qëllime: së pari nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë kjo është strategji për të blerë kohë. Së dyti ai i frikësohet krijimit të Qeverisë meqë gjeopolitika ka ndryshuar shumë dhe ai i frikësohet presionit të madh Amerikan që mund të vijë sepse Kurti nuk është i gatshëm që të adresoj këto sfida gjeopolitike në të cilat gjendemi. Kosova është e izoluar, Kosova është nën sanksione të BE-së, Kosova ka një përkeqësim të marrëdhënieve me SHBA-të. Ai mundohet t’i ikë të gjitha këtyre sfidave duke krijuar drama të reja dhe duke kërkuar që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen njejtë me zgjedhjet lokale’’, tha Behrami.

Deputeti Behrami duke folur mbi mundësitë e bashkëpunimit me subjektet politike për krijimin e Qeverisë tha se PDK mbështet diskutimet për harmonizimin e programit me partitë që ishin deri tash në opozitë duke përjashtuar LVV-në për bashkëpunim.

‘’Ju i keni dëgjuar edhe deklaratat e kryetari të PDK-së Memli Krasniqi dhe kandidatit për kryeministër Bedri Hamza që ne kemi dallime shumë të mëdha ideologjike me LVV-në dhe nuk është asgjë që neve na lidh, prandaj orientimi i PDK-së është kah opozita. Tashmë komunikimi ka filluar e patëm një takim të zotit Hamza dhe Lumir Abdixhikur, besoj se ky komunikim do të vazhdoj. Jam në besim të plotë se mund ta krijojmë një Qeveri e cila përbëhet nga opozita, nga partitë politike që kanë një trashëgimi në çalimin e Kosovës mbi të gjitha në shtendërtimin e Kosovës’’, thekson ai për RTV21.

Deputeti Behrami tha se PDK ka vetëm një kërkesë për subjektet e tjera opozitare për bashkëpunim.

‘’Bedri Hamza e ka bërë të qartë se për momentin PDK e ka vetëm një kërkesë dhe kjo është që të gjitha partitë të ulën dhe të bisedojnë për të gjitha temat edhe për program edhe për sfidat e politikës së jashtme edhe për sfidat e brendshme edhe për harmonizim të programit edhe se si duhet të duket Qeveria e re, pra PDK-ja është treguar shumë e hapur në mënyrë që të ketë një diskutim dhe të gjitha palët të marrin këtë proces shumë seriozisht sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur”, deklaron ai. /RTV21/21Media

Back to top button