Bekë Berisha-Dimal Bashës: Kur foli unë, ti veç kompjuterin shikoje

(Lajm i përditësuar)
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha derisa fliste në seancën e Kuvendit të Kosovës, nisi të pengohej nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha. Këtij të fundit i tha Berisha që vetëm ta shikojë kompjuterin.
“Te korrupsioni, hajni, nepotizëm si kurrë më parë. I di edhe hajnat me emra. Kur t’i marrin paratë këta të juajit-qeveria, këta uligarët që ua japin , këta na tregojnë se i njohim disa, veç mos u thirrni shumë në anti korrupsion se ka mundësi që unë edhe tregoj. Dimal të lutëm kur të flas unë, ti veç e shikon kompjuterin, ti je djalë i mençur rri aty “, tha ai.
Deputeti Berisha kishte edhe disa kërkesa sa i përket kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilit i tha se po i merr gjumi për shkak të mos ajrosjes së sallës, por që kanë probleme edhe me teknikën në sallë. Ai tha se kanë probleme edhe me pagesën shtesë nëpër komisione dhe bufenë e Kuvendit.
Zemaj-ministrit Çeku: Ti je hajn
Debati dhe akuzat në mes ministrit të Kulturës, Hajrullaj Çeku dhe deputetit të LDK-së, Armend Zemaj ka sërish në seancën e sotme të Kuvendit. Derisa Çeku i tha Zemajt se është gënjeshtar, ky i fundit i tha ministrit se është hajn.
Debati nisi për ekspertin që paguhet nga ministria e Kulturës në vlerë 5500 euro, për të cilin ministri tha se nuk është këshilltarë politikë, i emëruar nga ai por është konsulent profesional.
“Fatkeqësisht vetëm është rritur lista e gënjeshtrave, domethënë aty ku nuk ka argumente ato zëvendësohen me të pavërteta, dhe me ofendime ku degjeneruat para pak minutash. Kjo është e pa pranueshme zoti deputet“, tha ai.
Kurse, deputeti Zemaj tha se cili është luksi me pagu një këshilltar 5500 euro në muajt.
“Edhe një herë po ta bëj pyetjen, Kosova ime e dashur, deputet, cili është luksi 5500 euro me pagu një këshilltar në muajt, tregoma rezultatin e tij, taksat e mija, taksat e juaja, taksat e qytetarëve të Kosovës, cila është gënjeshtra, a më e madhe është hajnia me fakte apo neve këtu që po thua po supozoni. Dil arsyetoje këtë, dil para Kuvendit të Kosovës, hajn“, tha ai.
Akuza e kundërakuza në mes Çekut e Zemajt, reagon kryetari i Kuvendit
Në seancën e Kuvendit të Kosovës ka ndodh edhe një debat i ashpër në mes ministrit të Kulturës, Hajrull Çeku dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Ky i fundit u kritiku për gjuhë joparlamentare.
Fillimisht deputeti Zemaj pyeti ministrin Çeku për një ekspert që e paguajnë mbi 5500 euro.
“Sipas informacioneve që ne i kemi ju e keni angazhuar një ekspert që iu këshillon me një pagë mujore 5500 euro, a mundeni me tregu çfarë cilësi ka ky ekspert me paguar 5500 euro, për çka për trashëgimi, për sport”, tha ai, duke shtuar se ministria ka dhënë 5 milionë për subvencione, kryesisht për OJQ në Prizren, sidomos te ajo ku ministri ka qenë para se të ishte ministër.
Ministri Hajrullah Çeku e mohoi se ai është këshilltarë i tij por është konsulent profesional.
“Nuk ka këshilltar për ministrit, është konsulent profesional që është angazhuar nga administrata, nuk është emrim politikë, nuk është këshilltar i ministrit, nuk ka kuptim që një këshilltar të paguhet por ai është konsulent që ofron shërbime të caktuara të cilat e kanë vlerën që e kanë. Kontrata është publike, për ato shërbime ai ka thënë kaq kushton, nuk është këshilltar i ministrit, është gabim kështu me bërë deklarata të paqëndrueshme. Thatë shumica e subvencioneve janë shkuar në Prizren, është gënjeshtër. Stadiumi nacional nuk është anuluar asnjëherë”, tha ai.
E në momentin që ministri përfundoi fjalimin, akuzat e fyerjet vazhduan nga foltorja e tyre.
Aty dëgjohet Zemaj duke thënë se nuk i tha ministrit që po gënjen por vetëm bëri pyetje e ministri “gënjeshtar le t’i thotë babait të vet”. Kurse, ministri i tha Zemajt se i thotë vetit deputet e duhet të ketë turp se çka flet.
Aty reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se fjala gënjeshtër nuk është fjalë joparlamentare.
“Fjala gënjeshtër dhe fjala mashtrim nuk është fjalor joparlamentar sepse e keni përdorë edhe ju shumë shpesh edhe ju dhe është përdorë në këtë Kuvend. Kurse fjalët tjera që po i përdoreni ju zoti Zemaj janë jo parlamentare, ndonëse po i përdorni pa mikrofon por nuk e lejoj këtë në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Bajrami: Politika ekonomike e Qeverisë është reduktuar në lëmoshë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti në opozitë patë premtuar se nuk do e paguaj energjinë elektrike për katër komunat veriore por për këto dy vite ka paguar 98 milionë euro.
Bajrami në seancën e Kuvendit, ku po vazhdon debati për qeverisjen dy vjeçare, tha se ky është rezultati i punës dy vjeçare të qeverisë, asnjë punë, asnjë projekt, asnjë rrugë, asnjë çerdhe, asnjë shkollë, asnjë shtëpi për të moshuarit, zero transparencë, nepotizëm gjithë andej, ikje qytetarëve, institucione jofunksionale.
“Ju vazhdoni që mos punën ta shihni si sukses, e korrupsionin si luftë ndaj tij por tani po iu njohin të gjithë. Keni ardhur në pushtet me premtime për reforma, investime të mëdha, krijime të vendeve të punës dhe mirëqenie për të gjithë. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmosh, po po në lëmosh sepse në kurriz të inflacionit keni mbledh më shumë se 50 përqind tatime dhe i keni shpërndarë qindra miliona në mënyrë krejt uniforme duke mos qenë në gjendje t’i targetoni qytetarët në nevojë e shpesh herë edhe jashtë këtyre skemave…Zoti Kurti në opozitë patë premtuar se nuk do e paguaj energjinë elektrike për katër komunat veriore por ka paguar për këto dy vite plotë 98 milionë euro”, tha ajo, duke shtuar se dikur thonin se do ta ulin çmimin e energjisë sepse “flemë mbi energji”, por brenda këtij viti është rritur çmimi dy herë.
Asaj iu ka kundërpërgjigjur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Banka zhvillimore, fondi sovran, të gjitha këto janë premtime të programit për një mandat dhe të gjitha e kanë kohën dhe procedurën dhe ato do të bëhen. Nuk mundeni me shpall të dështuar një qeveri në gjysmë mandati.. Zonja Bajrami nuk ka kontratë të dashur sikur ato që bëheshin në një kohë në Kosovë. Kjo është shumë me rëndësi sepse është standardë i ri, ka respektim të procedurave, të transparencës, të rekrutimit, të reformave në drejtësi“, tha ai.
Aliu: Do ta shkurtojmë rrugën ajrore drejt Evropës
Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, po vazhdon edhe sot ku ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se ideja që do të mund të ndërtohet infrastruktura, pa realizuar shpronësimet është ide e gabueshme dhe iu ka sjellë në vazhdimësi telashe.
Aliu në vazhdimin e seancës ku po diskutohet për punën dy vjeçare të Qeverisë, ka thënë se sa i përket rrugëve ajrore, në të ardhmen do ta bëjnë edhe një marrëveshje me Malin e Zi, e cila do të shkurtojë rrugët drejt Evropës.
“Një marrëveshje e tillë i shkurton rrugët ajrore prej Vjenës në Prishtinë për gati rreth një orë, natyrisht pas hapjes së rrugëve me Shqipërinë. Një kohë rrugët ajrore që kanë ardhë në Aeroportin e Prishtinës, ka shkruar përmes Maqedonisë, tash me hapjen e korridoreve me Shqipërinë është shkurtuar rruga dhe në të ardhmen pas arritjes së marrëveshjes me Malin e Zi, do të kemi mundësi të hapim dy korridore të reja me Malin e Zi të cilat do të na shkurtojnë rrugën për fluturimet nga Evropa më shumë se 30 minuta nga versioni i parë që ka qenë me Malin e Zi”, tha ai.
Ministri Aliu ka thënë se ideja që do të mund të ndërtohet infrastruktura, pa realizuar shpronësimet është ide e gabueshme dhe iu ka sjellë në vazhdimësi telashe.
“Që në vitin e parë kemi arritur t’i shpronësojmë 75 milionë euro me rishikimin e buxhetit 2022, dhe në këtë vit presim që edhe 25 milionë tjera t’i shpenzojmë për projekte të tjera që lidhen Prishtinën me Gjilanin, Gjakovën, Mitrovicën, Pejën dhe Podujevën”, tha ai, duke shtuar se pas këtyre shpronësime do të ketë avancim në punimet e këtyre projekteve.
Ai shtoi se të gjitha terminalet doganore janë rikthyer në pronësi të shtetit.
Atij i ka reaguar shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili i tha se e kupton procedurën e shpronësimeve.
“Nuk e kuptoj Hysen Durmishin në fushatë zgjedhore ku del dhe shkon e thotë qytetarëve të Podujevës se për 9 muaj kryhet, pastaj shkon kryeministri. Jo që kanë kaluar 9 muaj por kemi hyrë në vitin e tretë dhe rruga për Podujevë nuk është kryer. Këtu duhet të marrë një përgjegjësi politike me thënë kërkojmë falje, kemi qenë në zgjedhje në rregull jemi”, tha ai.
Ministri Aliu iu kundërpërgjigj duke thënë se pjesa e premtuar se do të realizohet për 9 muaj, është realizuar.