Bekë Berisha e mohon se kërcënoi Enver Dugollin

(Lajm i përditësuar)


Bekë Berisha e mohon se kërcënoi Enver Dugolli

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha mohoi se ka kërcënuar deputetin e Vetëvendosjes, Enver Dugollin.

“Deputeti Dugolli e ka shumë problem zgjedhjen edhe një mandat dhe tash zgjedhjet janë afër, këta kanë dështuar në çdo aspekt. Edhe në këtë formë do të mundohet tash e tutje edhe deputetët tjerë me nxjerrë këso gënjeshtra, që të mund të marrin edhe ndonjë votë. Përndryshe unë dua ta pyes se çfarë problemi ke tash, nëse dëshiron me marrë ndonjë votë dil rrej diku tjetër apo gjej ndonjë formë tjetër. Sepse kjo puna e viktimizimit është konsumuar në Kosovë. Nuk është e vërtetë as që e ka kërcënuar kush, jam kryetar i komisionit fjalën ja dha atij edhe pse është nënkryetar. Kur jam duke folur nuk dëshiroj me më ndërhyrë. I kam thënë që ti je përkrahës i qeverisë, nuk të intereson Kosova, por të intereson se si ta fitojë edhe një mandat edhe me marrë atë rrogë edhe me kry ndonjë punë në ndonjë ministri”, deklaroi ai.

Ai tha se në raportimin e drejtorit me dyer të mbyllura është diskutuar për organizimin që e ka bërë Policia e Kosovës në veri.

“Sipas raportimeve të policisë, përgatitja e Policisë së Kosovës ka qenë në nivelin e duhur dhe operacionet kanë shkuar ashtu si i kanë menduar. Ka pasur moral të lartë të PK-së, mirëpo shqetësimi im është se u bërë ky ushtrim disa herë edhe në fund vetëm po keqpërdoret politikisht. Kryeministri Kurti ka disa herë që po e dërgon Policinë e Kosovës atje dhe ata po kthehen. Parlamenti i Kosovës, deputetët e pozitës po din të japin fjalime të forta prej këtu, kryeministri Kurti po din të bëjë fjalime politike dhe lojëra politike, mirëpo në kurrizin e atyre që kanë shumë nevoja dhe janë në vijë të parë të frontit”, deklaroi Berisha.
Në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes ka raportuar drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ai ka kërkuar që në diskutimin për situatën në veri, mbledhja e komisionit të mbahet e mbyllur për media.


Dugolli i Vetëvendosjes thotë se e kërcënoi Bekë Berisha: Ndezi cigare në ambiente të mbyllura të Kuvendit

Deputeti i Vetëvendosjes Enver Dugolli deklaroi se është kërcënuar verbalisht nga kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha.

Ai deklaroi se fillimisht Berisha shkeli ligjin duke ndezur një cigare.

“Dua të ju njoftoj se kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, ku fillimisht bëri shkelje ligjore duke ndezur cigare në ambiente të mbyllura të Kuvendit të Kosovës dhe në momentin që mori vërejtje nga deputeti Dimal Basha që ta fik cigaren, por lere që nuk e fiki cigaren”, tha Dugolli

Pas kësaj Dugolli shtoi se pas kësaj ka marrë kërcënim nga Berisha.

“…filloi ta humb arsyen dhe që në momentin nuk mori përgjigje nga drejtori i Policisë, dhe ma dha fjalën më kërcënoi verbalisht në prezencë të Policisë dhe anëtarëve të Komisionit me fjalët se ‘vetëm je i sëmurë e keq me shëndet se ta kisha tregu vendin këtu’ që ishte kërcenim verbal”, tha ai

Dugolli paralajmëroi se do t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca për adresim të masave disiplinore ndaj Bekë Berishës.

Back to top button