Bekim Haxhiu i PDK-së ankohet në PZAP

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, bën të ditur se ka dorëzuar një ankesë zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shkelje serioze të ligjit zgjedhor.
Sipas Haxhiut, ligji parasheh që fletëvotimet me postë të pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, ora 16:00, ndërsa KQZ, sipas tij, ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota që kanë mbërritur pas këtij afati.
Ai ka theksuar se kjo nuk është çështje teknike, por shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit, duke shtuar se asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë afatet ligjore.
Haxhiu ka deklaruar se kjo paligjshmëri ka pasur pasoja konkrete në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, ndërsa ka theksuar se nuk po kërkon privilegj, por zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë.
“Kjo paligjshmëri ka prodhuar pasoja konkrete. Ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe në renditjen e kandidatëve. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bekim Haxhiu kandidat për deputet nga radhët e PDK-së mori mbi 21 mijë vota (21.079) sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ani se Haxhiu ishte i 20-i më i votuari në PDK, nuk siguroi vend në Kuvendin e Kosovës si rrjedhojë e kuotës gjinore.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?