Bekim Jashari shpalos aktivitetet e qeverisjes komunale brenda këtij viti

Jashari ka përmendur edhe fillimin e projekteve infrastrukturore

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka mbajtur sot takimin e radhës me publikun, ku para qytetarëve ka shpalosur aktivitetet e qeverisjes komunale brenda një viti, disa nga veprimet që janë realizuar dhe që janë duke u realizuar në komunën e Skenderajt në të gjitha fushat.

Ndër të tjera kryetari Jashari theksoi se gjatë kësaj periudhe janë kryer punë të mëdha në të mirën e qytetarëve, duke përmendur vazhdimin e shkollave, ndarjen e mjeteve për bujqit, zgjedhjen e problemeve të strehimit, renovimin e qendrave të mjekësisë familjare dhe shumë të tjera.

Ai tha se Komuna e Skenderajt ka ndarë 164 bursa për studentët, si dhe kanë mbuluar transportin për 200 nxënës të ciklit të mesëm, teksa po vazhdon ndërtimi i shkollave gjimnazi në Skenderaj, dhe atyre në Polac, Makërmal e Qubrel.

“Për bujqit tanë ndamë 18 serra, 30 moto-kultivatorë, 40 makina mjelëse, 45 centrifuga për bletarët, ndihmuam 30 fermerë me mekanizëm bujqësor, si dhe dhuruam 11 mëshqerra për fermerë. Bëmë zgjidhjen e çështjes së strehimit për 31 familje brenda vitit 2019 dhe po vazhdojmë edhe për raste të tjera. Bëmë renovimin e qendrave të mjekësisë familjare në Llaushë, Turiqec, Runik, Klinë të Epërme dhe po vazhdon renovimi në Polac, Prekz i Epërm dhe Çirez, po ashtu duke zgjatur edhe orarin e shërbimit mjekësor”, tha ai.

Jashari gjithashtu ka përmendur edhe fillimin e projekteve infrastrukturore që përfshijnë asfaltimin e rreth 100 km të rrugëve në komunë, si dhe ka folur edhe për aktivitetet tjera që ka pasur kjo komunë gjatë vitit që po lëmë pas.

Ndryshe, Komuna e Skenderajt këtë vit është shpërblyer me çmim në vlerë prej 141 mijë eurove për qeverisje të mirë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Back to top button