Beqaj: Nëse ndahet Kosova zhbëhet edhe shtetësia e saj

Sipas Beqajt, ideja e korrigjimit të kufirit nënkupton ndarjen e Kosovës

Politologu, Belul Beqaj në emisionin debatues “Click” tha se ideja e korrigjimit të kufirit nënkupton ndarjen e Kosovës. Sipas Beqajt, nëse ndahet Kosova, zhbëhet edhe shtetësia e saj.

“Aleksandër Vuçiq ka arritë një marrëveshje për idenë e korrigjimit të kufirit dhe ideja e korrigjimit të kufirit fatkeqësisht sipas mendimit tim por edhe duke analizuar shumë procese, realisht nënkupton ndarjen e Kosovës dhe ndarja e Kosovës epilogun përfundimtar e ka në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ndarja e Kosovës e zhbën shtetin e Kosovës. Shekullin e kaluar dhe këtë shekull 40 shtete janë zhbë. Bashkësia ndërkombëtare është lodh me ne dhe ne e kemi lodh bashkësinë ndërkombëtare. Ne jemi dhjetë vjet shtet dhe ato dhjetë vjet shtet problematik, dhe si duket ka konsensus të faktorëve vendimarrës ndërkombëtar që të trajtohet seriozisht ideja për ndarjen e Kosovës.”, tha profesori universitar.

Beqaj më tej tha se i vetmi që mashtron në këtë lojë është presidenti Thaçi, sepse sipas tij pretendon që me idenë e korrigjimit të kufirit Serbia do ta pranojë Kosovën.

“Pikërisht ndarja e Kosovës mund të jetë moment i ri që të trajtohet koncepti i dialogut të deritanishëm krejtësisht në baza tjera dhe këto baza tjera në fakt në instancën afatgjatë zhbëjnë shtetin e Kosovës, për faktin se atëherë lehtësohet realizimi, i cili në shumë rrena dhe mashtrime që ka bo Aleksandër Vuçiqi mund të jetë i vërtetë. Ai kurrë, kurrë, kurrë thotë se nuk do ta pranojë shtetin e Kosovës, dhe ska nevojë, atëherë Kosova bashkohet me Shqipërinë dhe i vetmi që mashtron në këtë lojë është presidenti ynë kur thotë se me korrigjimin e kufirit do të na njeh Serbia, do të na njohin pesë shtetet e BE-së, do të anëtaresohemi në OKB, do të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, pra premtime që nuk varen fare nga ne.”, tha Beqaj.

I ftuar në emisionin debatues ishte edhe Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, i cili tha se se nuk mundet ta paramendojë veten duke jetuar me një Kosovë të cilën siç tha ai e ka dizajnuar Thaçi në proces me Serbinë. Ndër tjerash ai tha se as LDK-ja nuk mundet me ia diktua qëndrimin politik./21Media

Back to top button