Berisha: Jam i hapur për çdo gjë, nuk i druhem drejtësisë!

(Lajm i përditësuar)


Berisha: Jam i hapur për çdo gjë, nuk i druhem drejtësisë!

Ish-kryeministri, Sali Berisha deklaroi se është i hapur t’i “dorëzohet” drejtësisë, me bindjen e plotë se nuk do të mundet të provohet kurrë asnjë akuzë që rëndon mbi të. Sipas tij nuk ekziston asnjë shkelje që implikon atë apo Jamambër Malltezin, për të cilin thotë se i vetmi faj që ka është qenurit dhëndri i tij.

“Jam i hapur për çdo gjë. Të akuzosh Berishën për larje parash, duhet të jesh i pafytyrë. Natyrisht ata që firmosin gjëra të tilla, s’kanë as fytyrë, as karakter. Të akuzosh për korrupsion, kur nuk ka asgjë. Dhe përveç faktit se Jamarbër Malltezi, është bashkëshort i vajzës sime, është politike. S’ka lidhje me Berishën. S’kanë kapur gjë. Se tani po t’i pyesësh thonë; janë nën hetim. Por s’kanë kapur asnjë shkelje në procesin e privatizimit. Sa i përket burimeve të parave të mia, ato janë transparente”, tha ai.

Ish-kryeministri theksoi se sot ka më shumë se kurrë mbështetjen e votuesve të tij dhe asnjë akuzë nuk do e ndalojë përballë atij që i referohet si regjim i kryeministrit Rama.


Berisha mohon përfshirjen e dhëndrit të tij në privatizimin e kompleksit “Partizani”

Ish-Kryeministri Sali Berisha mohon përfshirjen e dhëndrit të tij në privatizimin e kompleksit “Partizani”. Ai deklaroi nga selia blu se ky privatizim ka nisur para marrjes së pushtetit nga ai si dhe destinacioni i këtij privatizimi është firmosur pas ikjes së tij nga pushteti, duke nënvizuar se mban firmën e kryesocialistit Rama.

“Për klubin Partizani; Jamarbër Malltezi nuk është thirrur kurrë në prokurori apo gjykatë në këto vite për akuzën e ngritur nga Balla, SPAK-u i partisë s’ka gjetur dot asnjë shkelje të vetme. S’ka guxuar ta thërrasë kurrë në prokurori, por kanë preferuar që të shpërndajnë lajme të rreme me gazetarë të keqpërdorur të oborrit keqqeveritar. Klubi Partizani nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes së forcave të Armatosura me propozimin e Berishës dhe as me firmën e Topit, por nga presidentë të tjerë para Bamir Topit. Destinacioni i klubit Patizani është ndryshuar me firmën e Ramës dhe pa propozimin e Berishës. Pra është ndryshuar destinacioni i karakterit sportiv, nga vetë Edi Rama. Me dokumenta”, tha ai.

Berisha theksoi se dhëndri i tij ka paditur për shpifje, Taulant Ballën, i cili ka depozituar edhe këtë çështje në SPAK, në vitin 2022.

“Ne do vazhdojmë betejën”, mbyllet deklarata e Berishës, i cili nënvizon se akuzat ndaj tij kanë prapavijë politike të orkestruar nga mazhoranca.


Veprat penale që rëndojnë mbi Berishën dhe dhëndrin e tij

Prokuroria e Posaçme ka caktuar “detyrim paraqitje” dhe ndalim largimi jashtë vendit, për ish-kryeministrin, Sali Berisha. Ky vendim vjen në kuadër të hetimeve mbi privatizimin e kompleksit “Partizani”. SPAK e akuzon ish-liderin e PD për korrupsion pasiv, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.

Ndërkohë, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua në aeroportin e Rinasit, për po të njëjtën aferë, raporton vizionplus

Socialisti Taulant Balla, nën cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të PS ka depozituar në nëntor të vitit 2020 një padi në SPAK për privatizimin e kompleksit “Partizani”.

SPAK duket se ka “kopsitur” hetimet duke lëshuar dhe urdhër arreste mbi këtë aferë.


SPAK sekuestron pasuritë e dhëndrit të Berishës

GJKKO ka vendosur sekuestrimin e pasurive të Jamambër Malltezit, dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha. Malltezi u vu në pranga në aeroportin e Rinasit, me urdhër të SPAK.

Ai është nën hetim për privatizimin e kompleksit “Partizanit”. Nga ana tjetër, Berishës i është caktuar masa detyrim paraqitje dhe moslejim largimi nga Shqipëria, duke i bllokuar pasaportën.

Gjithashtu, mësohet se urdhër arrest është lëshuar edhe për bashkëpronarin dhe ndërtuesin e kullave në këtë kompleks, Fatmir Bekteshin.


Arrestohet në aeroportin e Rinasit dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi

Jamarbër Malltezi është ndaluar nga policia mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit.

Malltezi ishte duke u kthyer nga një vend i Bashkimit Europian, kur është ndaluar në ambientet e aeroportit të Rinasit nga autoritetet.

Back to top button