Berisha: Lista Serbe është njësoj si partitë e Vuçiqit dhe Ramës

Në konferencën e përjavshme për shtyp, ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur rezolutën e djeshme të Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, ndërsa tha se Lista Serbe është njësoj si partitë e Vuçiqit dhe Ramës.

“Jam këtu për të përshëndetur në emër të PD, rezolutën e Parlamentit Evropian kushtuar Kosovës, në të cilën, në çdo paragraf, del e qartë përgjegjësia e plotë e Serbisë në të gjitha zhvillimet konfliktuale në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, në përpjekjet e saj konstante për destabilizimin e Kosovës, në qëndrimet e saj, të cilat fund e krye orientohen drejt mbajtjes së shtetit serb në Kosovë. Mbështes plotësisht këtë rezolutë dhe e konsideroj një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm, zbatimi i kërkesave të të cilit, vërtet hap rrugën për normalizim apo ecje drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta me qartësi të kristaltë, kërkon hetimin e lidhjeve të Serbisë me grupin terrorist të armatosur, të stërvitur në territorin e saj, dhe të dërguar në Kosovë. Akt ky që u parapri nga një seri aktesh të tjera dhune, të nxitur nga falanga serbe, bojkote të udhëhequra nga Lista Serbe, një parti terroriste e inkriminuar në të gjitha segmentet e saj. Do më falni, por tmerrësisht simotër me partinë e Vuçiçit dhe partinë e Edi Ramës. Sepse asnjë normë demokratike ajo nuk lejoi. Udhëhiqet nga ekstremistë dhe terroristë si Radoiçiç, mban lidhje të tmerrshme me bandat dhe krimin njësoj si partia e Vuçiçit dhe partia e Edi Ramës”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha theksoi se të gjitha ndërhyrjet e brendshme të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës, kanë ndihmuar direkt padronin e tij, Aleksandar Vuçiq.

“Por ajo që unë dua të shpreh këtu dhe për të cilën PD do të angazhohet të punojë ngushtë me Parlamentin Europian dhe asambletë e tjera parlamentare të institucioneve ndërkombëtare, do të jetë dënimi i qëndrimeve destabilizuese të Edi Ramës, në mbështetje të politikave destabilizuese të Aleksandër Vuçiqit dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Ndërhyrjet flagrante të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës janë një akt tmerrësisht negativ dhe me pasoja të rënda për situatën në rajon. Përpjekjet e tij, që kur ka ardhur në pushtet, për të diktuar për llogari të Sllobodan Millosheviçit të ri, apo Aleksandër Vuçiqit, se kush duhet të qeverisë në Kosovë, me qëllimin e vetëm zbatimin e planeve t përbashkëta të ndarjes së Kosovës, janë edhe këto një çështje jashtëzakonisht shqetësuese për PD-në, por kam bindjen se do jenë po kaq shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar. Shqipëria nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Të gjitha ndërhyrjet e brendshme të Edi Ramës në punët e brendshme të Koosvës, kanë ndihmuar direkt padronin e tij, sepse me këto ndërhyrje ai është përpjekur të çlirojë Vuçiçin, Slobodanin e ri, nga vlerësimet reale për të, dhe për ta paraqitur atë si një njeri të arsye dhe paqebërës, në një kohë kur ai është një serbomadh me çizme, siç ishte Sllobodani, dhe ka bashkautor në projektet e tij Edi Ramën, që në Kosovë e njohin si vëllaun e Vuçiqit. PD e ka shpallur atë si argat i Beogradit, kurse në komunitetin ndërkombëtar rëndom konsiderohet si Pashiqi i Tiranës.
Ndaj në mbështetje të kësaj rezolute dhe në plotësim të saj, do të bëjmë çdo përpjekje që Edi Ramës t’i vihet nga komuniteti ndërkombëtar, kufiri te thana, të ndalohen ndërhyrjet e tij në punët e brendshme të Kosovës, pasi në mënyrë absolute jo vetëm nuk ndihmojnë marrëveshjen, por përkundrazi e vështirësojnë atë në shkallë maksimale. Tani mund t’u them se ka nevojë për disa hetime ndërkombëtare për ngjarjet në veri të Kosovës, për implikimet direkte të Vuçiçit, por nuk përjashtohen aspak edhe implikime të tjera.
Ndaj dhe e përshëndes këtë rezolutë, një rezolutë që është një kontribut real, mbi bazën e të cilës mund të ecet drejt finalizimit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe normalizimit të marrëdhënieve, por duhet që Serbia duhet detyrimisht të japë llogari mbi bazën e kësaj rezolute dhe t’i përgjigjet pikë për pikë zbatimit të saj”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.

Back to top button