Berisha për kritikat e LVV-së dhe Osmanit: Me i dal kundër Gjykatës dhe Prokurorisë as në Tanzani nuk ma merr menja që ka

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha lidhur me kritikat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe presidentes së vendit, Vjosa Osmani ndaj Gjykatës Kushtetuese për RTV21, ka thënë se është çmenduri.

‘’Unë si deputet dhe si jurist, kjo është çmenduri e këtyre njerëzve se çka janë duke bërë. Këso forme të komunikimit, me u çu shtetit me i dal kundër Gjykatës dhe Prokurorisë as në Tanzani nuk ma merr menja që ka. Jemi duke kaluar një periudhë të qoroditjes mbarë popullore e sidomos këtyre që kanë qenë deri tash në pushtet. Kjo është çmenduri”, tha ai.

Deputeti Berisha ka komentuar edhe paralajmërimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se nëse nuk respektohet Kushtetuta do të bojkotojnë institucionet dhe do ta dalin në protestë.

Sipas deputetit Berisha kritikat e LVV-së dhe të presidentes Osmani ndaj Gjykatës Kushtetuese e plagosin funksionimin e shtetit.

‘’Nuk e di se çfarë iniciative është kjo që të dalin në protestë, ishalla dalin LDK-ja në protesta. Mirëpo si qytetarë, dhe si mentalitet qysh jemi të formësuar ne kjo qasje e përfaqësuesve të pushtet është e papranueshme. Edhe me deklarim, edhe me protestë edhe me gjithçka jemi kundër me i sulmu shtyllat e shtetit të Kosovës. Këto e plagosin funksionimin e shtetit”, deklaroi Berisha. /21Media

Back to top button