Berisha përshëndet kërkesën e Scholz drejtuar Vuçiq-it për njohjen e Kosovës
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar sot pasi kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq njohjen e Kosovës si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Berisha ka thënë se i dënon reagimet e Vuçiq-it, i cili me politikën që ndjek është faktor kryesor konfliktualiteti në rajon.
“Me gjuhën dhe vendimet prej autokrati serbomadh të cilat e karakterizojnë, ngjashëm me Millosheviqin, Vuçiq theksoi ‘mos u mërzisni aspak që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është krejt i ndryshëm nga juaji. Sikurse ju dëshironi integritetin territorial të Ukrainës, po ashtu edhe serbët duan integritetin territorial të Serbisë’. Me këtë deklaratë presidenti i serbomadhisë Vuçiq krahasoi ndërhyrjen çlirimtare të NATO-s në Kosovë me pushtimin barbar rus në Ukrainë”, ka shkruar Berisha ndër të tjera në Facebook.
Gjatë turneut të tij ballkanik, kancelari gjerman Scholz, dje vizitoi Kosovën dhe Serbinë, kurse sot në radhë ishin Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria./21Media