Berisha: Protestë kombëtare më 22 dhjetor, deri në krijimin e qeverisë teknike

Partia Demokratike do të zhvillojë protestë kombëtare më 22 dhjetor para godinës së Kryeministrisë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Vendimi u lajmërua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së kryesisë, i cili theksoi se protestat janë strategjia kryesore e opozitës kundër qeverisë Rama.
“Me datën 22 duhet të thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar. Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë. Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira. Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD.”
Vendimi për protesta u miratua pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Posaçme dhe ktheu në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Ne jemi para një realiteti shumë të zymtë. Një realitet në të cilin vjedhja e shqiptarëve nuk ka më frena. Është licencë. Se kjo që bëri me pezullimin e pezullimit, gjykata mori përsipër Apelin dhe Gjykatën e Lartë dhe të pezullojë masën e sigurisë. Imagjinoni ju tani se çfarë i mbetet themeli.”
Por paralelisht me protestat, Berisha lajmëroi radikalizimin e aksionit në Parlament, duke sqaruar se Partia Demokratike do të ndërpresë çdo bisedim për reformën zgjedhore dhe territoriale. Sipas Berishës, sjellja e mazhorancës në rastin e Avokatit të Popullit, të cilin e votuan pavarësisht se opozita i tërhoqi firmat, tregoi se me PS-në nuk mund të bisedohet.
Pjesë e mbledhjes së kryesisë ishte edhe Ervin Salianji, i cili ka nisur një lëvizje për hapjen e Partisë Demokratike./vizionplus.tv