Berisha: Qeveria dhe KFOR-i duhet të marrin masa urgjente për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës

Patrullimet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk janë të rralla. Së fundmi ata janë parë në bjeshkën e Corovodës në Istog.
Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, duke thënë se Qeveria dhe KFOR-i duhet të marrin masa urgjente për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.
“Raportimi medial për praninë e Ushtrisë Serbe në territorin e Kosovës, më saktë në Bjeshkët e Istogut, domosdoshmërisht duhet t’i vë në veprim institucionet përgjegjëse për të siguruar integritetin territorial të Kosovës. Kjo situatë është një provokim i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje të qartë dhe të vendosur të të gjithë akterëve të ngarkuar me përgjegjësinë për garantimin e pacënueshmërisë së integritetit të territorit të Kosovës, me kufi ende të pa demarkuar zyrtarisht e ratifikuar ndërkombëtarisht. Këtu përgjegjësia bie në rend të parë dhe vetëm te NATO/KFOR (Rez. 1244). Qeveria e Kosovës, së pari, Kryeministri, ministrat e ministreshat, por edhe shumë deputetë e aktivistë duhet ta kuptojnë se kufiri i Kosovës dhe Kosova nuk janë te Ujmani, as në Urën e Ibrit dhe as në kafet ku gravitojnë liliputët e pushtetit. Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa të menjëhershme për të adresuar këtë incident, duke forcuar praninë e Forcave të Sigurisë – KFOR-it në ato zona dhe duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar që nuk cenohet asnjë pjesë e territorit të vendit tonë. Në këtë kontekst, është jetike që KFOR-i, me mandatin e tij nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të rrisë vigjilencën dhe të garantojë pacënueshmërinë e kufijve të Kosovës”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Berisha tutje tha se “ky është një veprim që duhet të alarmojë vendet partnere të QUINT për ngritjen e alarmit deri në KS/OKB.Ky është një moment që duhet ta vë në veprim edhe Qeverinë e Shqipërisë, në bazë të Kushtetutës së saj, për veprim politik e diplomatik nga Tirana në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne nuk do të lejojmë që provokimet të destabilizojnë Kosovën. Qytetarët e vendit duhet të ndihen të sigurt se Kosova është e mbrojtur dhe e pacenueshme. Ky është edhe kuptimi i sigurisë kombëtare si nocion”./21Media