Besa Famgas kampione, titulli i tetë rresht për skuadrën pejane

 

Besa Famgas ka vazhduar dominimin e plotë në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Besa të mërkurën mbrëma e fitoi titullin e kampionit për edicionin 2020/2021.

Skuadra pejane i ka fituar të gjitha ndeshjet e këtij kampionati, duke përfshirë ato të plejofit. Në finale të plejofit, Besa Famgas ishte më e mirë se Prishtina. Derisa ndeshja e parë, e luajtur të shtunën në Pejë, ishte me rivalitet, të mërkurën në kryeqytet, pejanët kanë dominuar plotësisht. Në fund kanë fituar me rezultat të thellë, 39:32.

Për Besën është titulli i tetë rresht i kampionit. Prej pavarësimit të hendbollit kosovar, Besa ka fituar plot 17 tituj të kampionit. Periudhë të dominimit kishte edhe nga viti 2002 e deri në vitin 2007, por dominimi aktual po zgjat më shumë.

Në ndeshjen e dytë finale të plejofit, Besa Famgas nisi shkëputjen në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë nuk kishte rivalitet fare. Dhe epërsia e ekipit pejan shkoi duke u rritur, për të qenë në fund shtatë gola (39:32).

Më efikasi te Besa ishte Nikolla Prce me 9 gola dhe Yll Muqolli me 5. Nga 4 gola i shënuan Egzon Gjuka, Charalampos Mallios dhe Yll Visoka. Por ishte mbrojtja e fortë e Besës që e bëri dallimin.

Te Prishtina për efikasitet u shquan Agon Bajqinovci shënoi 9 gola kurse Lulzim Shabani 7.

Kupën e kampionit, kapitenit të Besa Famgas, Nikolla Prce, ia dorëzoi presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.

Back to top button