Ish-komandanti i Koshares: Nderoni vlerat e luftës, solidarizohuni me ata që janë në Hagë

(Lajm i përditësuar)

Ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, njëkohësisht deputet i PDK-së, Hisen Berisha pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, sot, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që ta nderojnë dhe respektojnë vlerat e luftës.

Ai u shpreh se qyterarët duhet të solidarizohen me ish krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, të cilët po mbrojnë vlerat, që siç tha, qëndrojnë në themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës.

“Është ditë që sublimon angazhimet dhe përkushtimet e të gjithë kombit shqiptar që një ditë të arrijmë bashkimin. Çdo ditë e punës në shtetndërtim do të jetë në vazhdimin e angazhimeve për të bashkuar kombin shqiptar me vlerat që na lidhin bashkë… Çdo përvjetor shohim fizionominë tipike të Kosharës, duhet të ketë borë, të ketë reshje, të jetë ftohtë, njerzit janë entuziastë, pavarësisht kohës, të harëshëm, sepse vinë, takohen dhe nderojnë këta që kanë rënë dhe prehen këtu në themelet e lirisë së shtetit. Kjo duhet të jetë ditë përmes të cilës i’u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i nderojnë dhe t’i respektojnë vlerat e luftës, të jenë të solidarizuar me ata që sot po përballen në Hagë, që janë duke mbrojtur pikërisht këto vlera që qëndrojnë në themelet e shtëtit dhe lirisë së Kosovës”, tha ai.

Abdixhiku: Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar është triumfi ushtarak i UÇK-së 

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se mes heronjve të rënë që kanë gjetur pavdekësinë, me të gjallët dhe kujtimet e tyre për mëngjesin që mbanë datën 9 prill, shënuam 24 vjetorin e Betejës së Koshares dhe triumfit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në thyerjen e kufirit shqiptar.

“Kosharja sot na qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

I pari i LDK-së u tha se sot nderojmë Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, dhe secilin hero të rënë në altarin e lirisë.

“Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme. Lavdi”, tha Abixhiku.

Haradinaj: Pa luftën e Koshares, nuk do të ishte lufta jonë për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare.

Haradinaj u shpreh se Epopeja e Koshares ka qenë vendimtare për epilogun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai potencoi se pa luftën e Koshares, nuk do të ishte lufta për liri.

“Jemi në vendin ku pushojnë luftëtarët shqiptar në vendin që është dëshmi e përpjekjeve të vështira të luftës për liri. Epopeja e Koshares, një luftë mjaft e përgjakshme ka qenë në atë kohë vendimtare për epilogun e luftës tonë, jo vetëm për luftimet këtu në kufi shqiptaro-shqiptar, por për të gjithë luftën. Pa këtë luftë të Koshares, lufta jonë për liri nuk do të ishte. Për këtë liri i nderojmë dhe të gjallët, i përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, u shpreh Haradinaj.

Krasniqi: Beteja e Koshares i dha fund ndarjes së kombit shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Beteja e Koshares i dha fund ndarjes së kombit shqiptar.

Krasniqi tha se kjo betejë ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës.

Ai theksoi se Kosharja, është një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përherë mirënjohës për veprën e dëshmorëve dhe veteranëve të Betejës së Koshares”, tha Krasniqi.

Më 9 prill, u zhvillua operacioni “Shigjeta” nën udhëheqjen e Agim Ramadanit- Katana.

Në këtë betejë u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.

Back to top button