Lista serbe: I morëm mandatet që të mos i lëmë Kurtin dhe Trajkoviqin të vendosin për jetët tona

Zëvendësohen 10 deputetë serbë

(Lajm i përditësuar)

“Lista Serbe” ka reaguar për zëvendësimin e mandateve në Kuvendin e  Kosovës, pasi dhjetë deputetët e tyre kanë dhënë dorëheqje ditë më parë.
Partia që drejton Goran Rakiq e që funksionon me direktiva të Beogradit kanë thënë se “veprimi strategjik ka parandaluar planin e Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të për të ndryshuar kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e serbëve në Kosovë”,
Në reagimin e tyre kanë përmendur edhe politikanen serbe Rada Trajkoviq duke thënë se ajo bashkë me kryeministrin Kurti kanë “planifikuar” të votojnë “ndryshime kushtetuese që do të çonin në eliminimin e komunave serbe, heqjen e pronës nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe dhe të drejtën për përfaqësim në institucione”.
Tutje thonë se “ky vendim strategjik nuk ndalon në asnjë mënyrë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës”, si kundërpërgjigje për “shkeljen e marrëveshjes së Brukselit”
Në fund potencojnë se qëllimi i tyre pas këtij vendimi për zëvendësim të mandateve është që të mos lejojnë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti bashkë me Rada Trajkoviq që “t’i qepin një kapelë popullit serb” dhe të vendosin për jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë.
 
Deputetët serbë largohen nga salla menjëherë pas betimit

10 deputetët serbë kanë lëshuar sallën e parlamentit menjëherë pasi kanë kryer procedurën e betimit në Kuvendin e Kosovës.
Deputetët që u betuan sot në fillim të seancës, me kërkesë të Kuvendit dhe me rekomandim të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, do të zëvendësojnë deputetët e dorëhequr nga Lista Serbe.
Betohen deputetët e rinj të Listës Serbe

Nëntë deputetë të Listes Serbe dhe një nga partia GI SPO janë regjistruar sot si deputetë të rinj në Kuvendin e Kosovës.
Në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së sotme plenare janë betuar këta deputetë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq dhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Dhjetë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – kishin dhënë dorëheqje nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë në institucionet në veri të vendit.
Dorëheqjet kishin nisur në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe./21Media

Back to top button