Betohen kryetarët e rinj serbë të komunave në veri të Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Marrin mandatin kryetarët serbë në katër komunat në veri, betohen para simboleve shtetërore të Kosovës

Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, janë mbajtur seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj morën pushtetin.

Milan Radojeviq është betuar si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Radojeviq ka pasuar Erden Atiqin.

Milosh Peroviq po ashtu e ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zubin-Potokut.

Peroviqi në betimin e tij u shpreh se do ta ushtroj detyrën e tij me ndershmëri dhe besnikëri që t’i siguroj Komunës së Zubin Potokut kushte më të mira.

Gjithashtu është betuar edhe kryetar i ri i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq. Ai ka thënë se përpara i presin sfida, por ka shtuar se duhet të ruhet paqja e siguria në komunë.

“Pas 3 viteve kjo ditë është solemne. Kuvendi po merr përfaqësuesit legjitim në kuvend. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë qytetarët tanë që kanë dhënë për neve. Periudha para nesh nuk do të jetë e lehtë, do të jetë me sfida. Të ruajmë së paku paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, ka thënë Miloviq pas betimit.

Zoran Todiq është betuar po ashtu si kryetar i ri i Leposaviqit.

Në sallat ku është bëtë betimi janë vendosur flamuri i Kosovës si dhe fotografia e Presidentes Vjosa Osmani.

Ndërkohë, është betuar edhe Novak Ziviç si kryetar i ri i Graçanicës.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pas dorëheqjes së atyre të Listës Serbe në nëntor 2022.


Ish kryetari i Zveçanit, Peci: Do të reagoj menjëherë nëse tentohen të hiqen simbolet e Kosovës

Ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, zotohet se do të punojë si asambleist i kësaj komune. Teksa u shpreh se do të reagoj menjëherë, nëse ka tentime që të hiqen simbolet e Kosovës.

“Patjetër, do të thotë qysh në momentin e lëshojë seancën, edhe i vazhdojmë procedurat. Asnjë minutë nuk e pranoj një gjë të tillë. Nuk e pranoj ndonjë flamur nëse tenton dikush të sjellë, përpos flamurin të shtetit tonë”, tha Peci për RTV21./21Media


Betohet kryetari i ri i Zveçanit

Është betuar kryetari i ri i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.

Ai u shpreh se Zveçani është shtëpia e përbashkët e të gjithëve.

“Zveçani është shtëpia jonë e përbashkët, e të gjithëve, që të kujdesemi për të njëjtë të gjithë”, u shpreh ai./21Media


Pas pak betohet kryetari ri i Mitrovicës së Veriut

Pas dy vite e gjysmë qeverisje në Komunën e Mitrovicës së Veriut nga Erden Atiq, sot prej orës 11:00 do të bëhet betimi i kryetarit nga Lista Serbe, Milan Radojeviq.

Ndërsa, në hapësirat afër komunës së Mitrovicës së Veriut janë të vendosur Policia e Kosovës, si dhe monitorues nga KFOR-i. Këta të fundit janë vendosur edhe brenda komunës.

Kurse, brenda sallës së Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, shihet edhe fotografia e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Flamuri i Kosovës.


​Serbët në Leposaviq pritet të betohen përpara flamurit të Kosovës

Ka nisur seanca konstitutive e kuvendit komunal në Leposaviq, ku pritet të betohet kryetari Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Përreth e para Komunës së Leposaviqit janë para forca të shtuara të Policisë së Kosovës, automjete të KFOR-it, EULEX-it dhe OSBE-së.

Në sallën e kuvendit komunal, është vendosur fotografia e presidentes, Vjosa Osmani dhe flamuri i Kosovës.

Në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok mbahen sot seancat konstitutive, ku kryetarët e rinj të cilët vijnë nga Lista Serbe do të marrin zyrtarisht detyrat.

Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok.


Peci për takimin me kryetarin e ri të Zveçanit: Nuk ka pasur bisedë të gjatë

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci për RTV21 para dhënies së postit të kryetarit të ri, ka ndarë detaje nga takimi i tij me kryetarin e ri. Teksa shtoi se nuk ka pasur bisedë të gjatë.

“Pak a shumë kemi biseduar, vetëm për sallat se ku do të mbahet”, tha Peci.

Ai ndër të tjera tha se ka bërë përgaditjet për këtë seancë, derisa u shpreh se për situatën pas këtij momenti, MPL duhet të marrë përsipër.

“Për momentin deri më tani, do të thotë gjithçka e kemi pasë obligim ligjor ne si komunë dhe unë si kryetar komune, për t’i bërë përgaditjet me sallë, me gjitha, flamurin, fotografia e presidentes. Nga ky moment si do të rrjedh situata, besoj si Ministria e Pushtetit Lokal duhet të merrë përsipër, unë jam i gatshëm që të zbatoj ligjin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Peci./21Media


Fillon seanca e betimit të kryetarit të ri në Zveçan

Ka filluar seanca e betimit të kryetarit të ri të komunës së Zveçanit.

Ekipi i RTV21 është duke qëndruar atje dhe do të sjell pamje.


Kryetarët serbë sot marrin drejtimin e komunave veriore

Në katër komunat veriore të vendit sot do të betohen kryetarët e rinj të Listës Srpska.

Në sallën e Kuvendit Komunal të Zveçanit ku do të betohet kryetari i ri Dragisha Milloviq janë simbolet e shtetit të Kosovës, përfshirë flamurin e Kosovës, fotografinë e Presidentes e stema prej letre.

Këto komuna me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023 dhe nëpër objekte ishin ndërruar simbolet shtetërore të Serbisë dhe ishin zëvendësuar me ato të Kosovës.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, ka thënë se sikurse në komunat e tjera të vendit edhe kryetarët e katër komunave veriore janë të detyruar ta respektojnë ligjin dhe Kushtetutën gjatë kalimit të pushtetit.

“MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore. Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Krasniqi.

Përndryshe, u raportua se Bashkimi Europian ka në plan të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës nëse transferimi i pushtetit në këto komuna do të jetë paqësor.


Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës

Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor do të mbahen seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe do të marrin përsëri pushtetin.

Këto komuna me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.

Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do të anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, Bashkimi Evropian kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pret që pushteti i ri lokal në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, në periudhën e ardhshme do të “qëndrojë konstruktiv në zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullatës përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjet”.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parashikon se për çdo vendim ose akt tjetër i komunës që nuk përputhet me Kushtetutën dhe ligjet mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ose institucioni tjetër përgjegjës i Qeverisë së Kosovës.

Çfarë ka ndryshuar që nga viti 2023?

Menjëherë pas marrjes së detyrës, kryetarët shqiptarë të komunave vendosën flamurin e Kosovës në ndërtesat komunale, që deri atëherë nuk shihej në asnjë institucion në veri.

Të katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërsa nga Lista Serbe kishte deklaruar se e gjithë kjo ishte “okupim i veriut”.

Më pas, në bashkëpunim me autoritetet qendrore të Kosovës, u punua edhe për mbylljen e institucioneve lokale të Serbisë, si Organet e Përkohshme Komunale, Qendrat për Punë Sociale, ndërmarrjet publike komunale dhe të tjera.

Gjithashtu, autoritetet lokale morën në pronësi objektet ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet “jolegjitime” të financuara nga Serbia ose paralajmëruan shembjen e ndërtesave të ndërtuara pa leje.

Ndërkohë, në vend të institucioneve serbe u hapën institucione të Kosovës, poste dhe banka, dhe filloi edhe hapja e subjekteve ekonomike në pronësi të shqiptarëve, si supermarkete, restorante fast-food, dyqane ëmbëlsirash – veprime që hasën në rezistencën dhe bojkotin e komunitetit lokal serb.

Komuna e Mitrovicës së Veriut në mes të këtij viti nënshkroi gjithashtu një memorandum mirëkuptimi me Komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikon ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, një nismë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Përplasjet dhe kriza

Popullsia me shumicë serbe nuk e pranoi kryetarët shqiptarë të komunave në veri, dhe shpërthyen kriza të njëpasnjëshme. Në fund të majit të vitit 2023, kur kryetarët shqiptarë morën pushtetin, ndodhi edhe një përplasje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, para ndërtesës së Komunës së Zveçanit, ku u lënduan më shumë se 100 persona nga të dyja palët.

Tensionet në veri kulmuan me sulmin nga një grup i serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur u vra një polic i Kosovës. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ndërsa Prishtina e akuzoi edhe Beogradin për përfshirje, gjë që është mohuar nga Serbia.

Që nga ajo kohë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel politik ka qenë i bllokuar.

Ndërkohë, BE-ja, e cila ndërmjetëson dialogun, në vitin 2023 vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri. Disa nga këto masa filluan të largoheshin gradualisht në maj të këtij viti./rel

Back to top button