Biden dhe Xi paralajmërojnë njëri-tjetrin për Tajvanin
Udhëheqësit amerikanë dhe kinezë kanë paralajmëruar njëri-tjetrin për Tajvanin gjatë një telefonate që zgjati më shumë se dy orë.
Presidenti Joe Biden i tha homologut të tij kinez, Xi Jinping, se SHBA kundërshtoi me forcë çdo lëvizje të njëanshme për të ndryshuar statusin e ishullit.
Por ai shtoi se politika e SHBA-së për Tajvanin nuk kishte ndryshuar.
Pekini tha se Xi i kishte thënë Bidenit që t’i përmbahej parimit të Kinës, duke e paralajmëruar atë se “kushdo që luan me zjarrin do të digjet”.
Tensionet mbi këtë çështje janë rritur përpara një plani të përfolur për vizitën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan.
Departamenti i Shtetit thotë se Pelosi nuk ka njoftuar ndonjë udhëtim, por Kina ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse ajo do të vazhdonte me një vizitë të tillë.
Javën e kaluar, Biden u tha gazetarëve “ushtria mendon se nuk është një ide e mirë”, por Shtëpia e Bardhë e ka quajtur retorikën kineze kundër çdo udhëtimi të tillë “qartësisht të padobishme dhe jo të nevojshme”.
Pelosi, do të ishte zyrtarja më e lartë amerikane që do të udhëtonte në Tajvan që nga viti 1997.
Gjatë bisedës telefonike të së enjtes, Biden dhe Xi diskutuan gjithashtu për një takim të mundshëm ballë për ballë, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden, duke e përshkruar dypalëshin si “të drejtpërdrejtë” dhe “të ndershëm”.
Kur zoti Biden ishte zëvendëspresident i SHBA-së, ai priti Xi gjatë një vizite në SHBA nga lideri kinez në vitin 2015, por ata nuk janë takuar personalisht gjatë presidencës së zotit Biden.
Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet të bëhet pjesë e vendit – dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për ta arritur këtë.
Shtëpia e Bardhë tha se përveç Tajvanit, të dy udhëheqësit diskutuan një sërë çështjesh të tjera, duke përfshirë ndryshimin e klimës dhe sigurinë shëndetësore./21Media