Biden, Macron e Steinmeier urojnë Kosovën

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës edhe nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Në letrën e tij, presidenti Stenimeier ka përmendur angazhimin e Kosovës për vlera evropiane dhe në këtë kontekst ka vlerësuar partneritetin në raport me luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
“Jam i lumtur që vitin e kaluar gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Berlin me nënshkrimin e tre marrëveshjeve rajonale të mobilitetit mundëm të arrijmë një sukses dhe të hedhim një hap të mirë përpara për krijimin Tregut të Përbashkët Rajonal domethënës për zhvillimin ekonomik të rajonit. Qëllim i përbashkët i Kosovës dhe Gjermanisë mbetet integrimi i vendit tuaj në bashkësinë ndërkombëtare. Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Kosovës”, ka theksuar në letër presidenti Steinmeier.
Sipas tij, dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE mbetet një sfidë thelbësore për vendin për normalizimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve.
“Gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së. Në këtë rrugë Ju mund të jeni të sigurt që e keni mbështetjen e Gjermanisë si partnere e besueshme e Kosovës”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Steinmeier dërguar Presidentes Osmani.
Macron: Franca mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për forcimin e sundimit të ligjit 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron.
Macron në letrën e urimit ka thënë se Franca mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për forcimin e sundimit të ligjit.
“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor […] Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka thënë Macron.
Ndër të tjera, Presidenti Macron ka bërë thirrje për forcim të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që ta lehtësojë integrimin evropian, duke thënë se mund të llogaris në përkrahjen e Francës.
Biden uron 15 vjetorin e Pavarësisë, përmend njohjen reciproke me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuar atë Amerikës, Joe Biden, me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Zyra e presidentes.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës, gjersa shënoni 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj. Përgjatë viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet tona”, ka thënë Biden.
Ndër të tjera, Presidenti Biden ka shprehur mbështetje për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe për dialogun me Serbinë./21Media

Back to top button