Biden paralajmëron për humbje të jetëve në transportin ajror në Kabul
Presidenti amerikan, Joe Biden ka pranuar se evakuimi masiv nga Afganistani nuk është “pa rrezik humbjeje”.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se SHBA kishte shpëtuar 13,000 njerëz deri më sot në “një nga transportimet ajrore më të mëdha dhe më të vështira në histori”.
Mirëpo sugjerimi i presidentit, se evakuuesit amerikanë nuk janë duke u penguar nga talibanët, ka qenë në kundërshtim me deklaratat e zyrtarëve amerikanë për mbrojtje.
“Çdo amerikan që dëshiron të kthehet në shtëpi, ne do t’ju marrim në shtëpi”, tha Biden, i cili ndërpreu pushimet e tij për të adresuar krizën.
Presidenti tha se ushtria amerikane do të bënte “të njëjtin angazhim” për 50-65,000 aleatë afganë që shpresonin të largoheshin, para se të shtonte se evakuimi i qytetarëve amerikanë ishte “prioritet”, transmeton rtv21.tv.
“Mos bëni gabim, ky mision evakuimi është i rrezikshëm. Ai përfshin rreziqe për forcat tona të armatosura dhe po kryhet në rrethana të vështira”, tha Biden.
Tutje presidenti amerikan tha se nuk mund të premtojë se cili do të jetë rezultati përfundimtar ose që do të jetë pa rrezik humbjeje. Por si komandant i përgjithshëm, u shpreh se mund të sigurojë se do të mobilizojë çdo burim të nevojshëm.
Ai tha gjithashtu se nuk do të ishte e nevojshme të dërgoheshin trupat amerikane në Kabul për të nxjerrë amerikanët e bllokuar, duke pretenduar se talebanët po lejonin hyrjen në aeroport për këdo që mbante një pasaportë amerikane.
Sidoqoftë, raporte të shumta nga Kabuli kanë thënë se qytetarët amerikanë kanë probleme të arrijnë në aeroport. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha ligjvënësve në një konferencë të premten se amerikanët që përpiqeshin të largohen nga Afganistani janë rrahur nga luftëtarët talebanë./21Media