Bideni i dërgon letër urimi Vuçiqit, thotë se e mbështet dialogun Kosovë – Serbi

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka dërguar letër urimi për ditën e pavarësisë së Serbisë, presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në letër presidenti amerikan ka thënë se do të vazhdojë ta mbështesë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa po ashtu ka thënë se mbështet dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar nga BE-ja.
Presidenti amerikan po ashtu ka bërë të qartë se duhet mbështetur Ukraina përballë agresorit rus.
“Në vitin që është para nesh, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e BE-së për normalizim, që do të kontribuojë në krijimin e një të ardhme më paqësore dhe me prosperitet për rajonin”, ka shkruar Biden.
Presidenca e Serbisë ka njoftuar se Vuçiq ka pasur edhe një telefonatë të martën me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Sipas njoftimit të Presidencës së Serbisë, “Michel ka cekur rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Beogradit e Prishtinës, duke thënë se duhet qasje proaktive për zgjidhje të gjitha çështjeve të hapura, që janë esenciale për integrimin evropian”.

Back to top button