Pandemia nga Covid-19, ka ndikuar që të ketë numër më të vogël të burgosurve dhe të ketë ndërprerje të paraburgimit. Numri ka rënë për gati 200 prej fillimit të shfaqjes së këtij virusi në Kosovë.

Me datën 16 mars kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim që të kufizohet aktiviteti brenda gjykatave, këto institucione kanë trajtuar vetëm çështje urgjente dhe si pasojë ishin anuluar seancat që nuk paraqesin urgjencë. Ndërkohë që gjatë vitit 2020, mbi 970 persona janë në pritje të ekzekutimit të vendimit te formës së prerë.
Kështu thotë drejtori i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi i cili në një intervistë ndër të tjera flet edhe për mungesën e ligjit që mund të amnistojë apo pezullojë dënimet në kohë të përkohshme.

Për këtë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës muaj më parë i është drejtuar Komisionit për Legjislacion si dhe shefave të grupeve parlamentare me propozimin për inicimin e ndryshimeve ligjore në procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mundësohet lirimi i përkohshëm apo amnistia për të dënuarit në kohën e pandemisë.

“Tash kemi rënie të të burgosurve, pasi që Kosova nuk posedon një Ligj që mund të amnistojë apo mund të lirojë, apo pezullojë dënimet në kohë të përkohshme edhe pse ka qenë tentativë aso kohe nga presidenca, ministrja dhe nga grupet parlamentare dhe nuk ka arritur që të procedohet ky ligj. Janë aktivizuar akterët tjerë siç është Paneli për Lirim me Kusht dhe Presidenca. Kështu që kanë qenë mjaft aktiv dhe kanë arritur t’i lirojnë Paneli për Lirim me Kusht disa prej të burgosurve. Të njëjtën kohë ju e dini që edhe gjykatat që kanë punuar me kapacitete të zvogëluara, dhe vetëm raste urgjente. Prandaj edhe numri i të burgosurve dhe paraburgosurve ka rënë në masë të dukshme, që rrjedhimisht ka lehtësuar punën tonë dhe menaxhimin me ta”, ka deklaruar Thaçi.

Ndalesa e vizitave të familjarëve të burgosurve Thaçi thotë se ka qenë sfiduese për Shërbimin Korrektues, pasi që kjo e ka bërë më të vështirë qëndrimin e tyre gjatë këtyre muajve në qendrat e paraburgimit dhe burgimit në Kosovë.

“Zakonisht burgjet kanë pasur numrin e të burgosurve dhe të paraburgosurve rreth 1650- 1670 sillemi zakonisht. Tash konkretisht nëse nuk gaboj të gjithë statistika e sotit është 1423. Prandaj, gjatë kësaj pandemie kemi rënie të të burgosurve dhe të para-burgosurve”, shton ai.

Sipas tij, janë dy të burgosur dhe 26 zyrtarë korrektues të cilët janë infektuar me koronavirus deri më tani, ku prej tyre 12 janë ende që po qëndrojnë në vetizolim.
Si shkak i rritjes së numrit të rasteve me këtë pandemi, Shërbimi Korrektues i Kosovës nga 11 korriku ka ndaluar sërish vizitat për të gjithë të burgosurit.

Thaçi tregon se gjatë këtij viti janë rreth 970 persona në pritje të ekzekutimit të vendimit.

“Sipas statistikave gjatë vitit 2020 diku 970 persona janë në pritje të ekzekutimit të vendimit. Do të thotë bëhet fjalë për vendimin përfundimtar, për shkak të vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit apo të ngjashme. Kështu që vlerësojë që Gjykatat edhe gjatë kohës së pandemisë ka vepruar shumë mirë derisa ka arritur të marrë 970 vendime për burgim të cilat ende nuk kanë marrë formën e vendimit të prerë. Prandaj ne presim, jemi të përgatitur që të presim të dënuarit e tjerë”, shprehet Thaçi për KosovaPress.

Drejtori i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi thotë se pavarësisht shkurtimit te buxhetit janë duke punuar në realizimin e disa projekteve. Ai njofton se janë në proces të vlerësimit të tenderit për blerjen e dyshekëve për 800 të burgosur, si dhe të ndërtimit të fermës së pulave./kp/