Bilalli: Qasja ndaj diplomacisë, dobësia kryesore e programeve partiake

Ish-diplomati Lutfi Bilalli vlerëson se në programet e partive politike ka mungesë serioze në trajtimin e sigurisë dhe politikës së jashtme. Sipas tij, është folur shumë pak për obligimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe për prioritetet që duhet t’i ketë Qeveria e re në proceset integruese, veçanërisht në raport me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO.
Bilalli kritikon faktin se partitë janë fokusuar më shumë në premtime për investime dhe buxhete të mëdha, pa adresuar realitetin në terren. Ai thekson se Kosova po përballet ende me probleme bazike, si mungesa e energjisë elektrike, ku në disa qytete dhe lagje ka ndërprerje deri në 12 orë në ditë. Sipas tij, këto dështime duhet të reflektohen edhe në vendimin e votuesve.
“Shumë pak është folur për sigurinë dhe për politikën e jashtme, sidomos për obligimet që kanë të bëjnë me marrëveshjet, apo për atë se çfarë parashihet në formimin e Qeverisë së re sa i përket obligimeve që rrjedhin qoftë nga proceset integruese brenda BE-së, e sidomos nga integrimi në NATO. Propaganda e tyre, sa i përket shpalosjes së programeve, ka premtuar jashtëzakonisht shumë investime, buxhete e të tjera. Por, ne kemi një problem, logjika e thjeshtë e pranon se nuk kemi rrymë. Ka vise, qytete dhe lagje nëpër Kosovë që për 12 orë në ditë nuk kanë energji elektrike dhe për këtë votuesi duhet t’i dënojë. Defekti më i madh i partive politike është qasja ndaj diplomacisë.”/RTV21