Biserko: Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Mal të Zi përmes Kishës Serbe

Rusia padyshim që ndikoi shumë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi dhe këtë e bëri kryesisht me ndihmën e “kishës shtetërore të Serbisë dhe levave të tjera nga Beogradi”, tha presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Presidenti veteran i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do të përballet në balotazh me ish-ministrin e Ekonomisë, Jakov Millatoviq, më 2 prill, pasi asnjëri prej shtatë kandidatëve në garën për president nuk kanë arritur të fitojnë 50 për qind të votave, në zgjedhjet e 19 marsit.

“Si anëtar i NATO-s, Mali i Zi është shumë i rëndësishëm për Rusinë dhe depërtimi më i thellë i Moskës në Mal të Zi do të nënkuptonte një fuqizim shtesë të ndikimit rus në vendin që është anëtar i aleancës ushtarake Atlantike. Në të njëjtën kohë, me provokime të vazhdueshme në Mal të Zi Moska po verifikon nëse NATO do të reagojë dhe në çfarë mënyre”, tha Biserko në një intervistë për Autonomija.info.

Nga ana tjetër, shtoi ajo, hyrja ruse në Mal të Zi do të nënkuptonte edhe daljen e Rusisë në Mesdhe, në Detin Adriatik, ku nuk mund të hynte as gjatë Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe as në të gjitha vitet e kaluara.

Ajo tha gjithashtu se ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajon është shumë i rëndësishëm, sepse me ndihmën e Serbisë, “Ballkani sot mbahet si një lloj fortese ruse” përmes së cilës zbulohen planet e Perëndimit në drejtim të konsolidimit të sferave të ndikimit të Perëndimit.

Biserko thekson se Rusia ka rrënjë shumë të thella dhe ndikim të madh në Serbi, në radhë të parë përmes Kishës Ortodokse Serbe (KPS), por se KOS deri më tani nuk e ka kundërshtuar publikisht marrëveshjen me Kosovën./21Media

 

Back to top button