Bislimi i thekson emisares franceze nevojën për heqjen e masave të BE-së për Kosovën

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti në takim zëvendës drejtoren për Ballkan dhe Evropë në ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Marguerite Costa de Beauregard
Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ditën e sotme zëvendës drejtoren për Ballkan dhe Evropë në ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Marguerite Costa de Beauregard.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, përgjatë takimit u bisedua rreth fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës dhe bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe infrastrukturës.
“ U trajtua dhe rrugëtimi në procesin e integrimit evropian të Kosovës si prioritet i yni, gjersa sot presim dhe dorëzimin e Raportit për Vendin. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu dhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vijojnë të jenë të padrejta e të qëndrojnë në fuqi edhe pas konstatimit të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në raportin e tij ku rekomandon heqjen e masave.”, thuhet në njoftim./21Media