Bislimi: Kosova nuk mund të krijojë Asociacion me kompetenca ekzekutive

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se duhet të pritet që deri më 18 mars të finalizohet aneksi dhe pastaj do të shohim se cili ka qenë propozim i palës kosovare për planin franko-gjerman.
Për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe, Bislimi tha se Kosova nuk mund të krijojë atë me kompetenca ekzekutive. “Ka një harmoni mes qëndrimeve edhe të Bashkimit Evropian, edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, që Kosova nuk mund të krijojë asnjë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe mendoj se kjo është e qartë edhe për zotin Vuçiq”, tha ai në një intervistë për RTK-në.
Sipas tij edhe në pikën dy, thuhet qartë se çfarëdo trupe që krijohet në Kosovë, çfarë do emri që gjendet për të, ai nuk mund të jetë në kundërshtim me kushtetutën dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.
Ai ka folur edhe për Asociacionin. “Në fakt ai është një obligim që është pranuar nga nj ish qeveri në të kaluarën, rrjedhimisht është negociuar. Ne për Asociacionin nuk negociojmë, ajo që ne po themi është që ka dakordim mes palës tonë dhe asaj ndërkombëtare dhe kjo është dokumentuar me një letër të znj.Mogerini në vitin 2015 i ka dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës,  ku thuhet se nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha ai.

Back to top button