Bislimi: Një vend brenda BE-së kategorikisht refuzon vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se nuk është në kompetencën e qeverisë që të konstatojë, nëse formulimet brenda propozimit për asociacionin përbëjnë shkelje kushtetuese.

Ai tha se sponsorët e këtij propozim kanë siguruar që gjatë përpilimit të propozimit të tyre, janë kujdesur që të përmbushen kushtet, siç tha ai, të kryeministrit Albin Kurti.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Bislimi u shpreh se në BE ka një dakordim informal që masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe të dëmshme. Sipas tij, është një vend brenda bllokut që refuzon vendosjen e sanksioneve për Serbinë.

“Kosova është nën masa. Diskutimi për masat që mund të ndërmerren në rast të pasjes së qasjes konstruktive nga ana e Serbisë ose në rast që hetimet përfundojnë me një konstatim që prapa sulmit apo aktit të agresionit të 24 shtatorit qëndron Serbia, flasim për masat ekonomike dhe politike që mund të vendosen për Serbinë. Por, prapë është e qartë, jo për Kosovën, sepse Kosova s’ka qenë shkaktare e sulmit të 24 shtatorit. Masat do t’i vendosen Serbisë në rast se konstatohet, por është e rëndësishme të dihet që masat nuk mund të jenë të tipit të sanksioneve meqë ka një vend brenda Bashkimit Evropian, që kategorikisht do të refuzojë vendosjen e sanksioneve, andaj masat pritet të jenë ato që lidhen me integrimin evropian dhe mbështetja financiare që merr Serbia nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Bislimi.

Tutje, ai shtoi se në muajin shkurt kryeministri Kurti ka treguar rrethanat që ai është i gatshëm të angazhohet në draftimin e dokumentit për vetëmenaxhim.

“Ne kemi kërkuar dakordim që këto do të jenë ato limitet brenda së cilave shkojmë. Natyrisht Serbia nuk ka pranuar që të hyjë në këtë diskutim dhe rrjedhimisht ne nuk kemi mundur të fillojmë punën rreth kësaj. Në ndërkohë ne nuk mund të stopojmë partnerët e tjerë që të marrin iniciativat e tyre. Siç e tha edhe kryeministri, sponsorët e këtij propozimi, kanë deklaruar dhe siguruar që gjatë përpilimit të propozimit të tyre, i cili nuk është propozim merre ose leje, ata janë kujdesur në maksimum që të përmbushen kushtet e zotëri Kurti që duhet në plotëni të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015. Por, prapë ne nuk e kemi kompetencën që të konstatojmë se a përbën një formulim brenda shkelje të Kushtetutës apo jo, por ajo që tha kryeministri, që gjendet brenda dokumentit, është prapë filtri që çfarëdo dakordimi që bëhet duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Bislimi para mediave. /Sh.Pajaziti

Back to top button