Bislimi: Propozimi franko-gjerman është shumë më afër asaj që dëshiron Serbia

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi vlerësoi sot se propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës është shumë më afër qëndrimit të Serbisë nga perspektiva e dialogut Prishtinë-Beograd.
Në një fjalim online në Forumin e Sigurisë në Beograd, Bislimi tha se Kosova dëshiron të marrë një marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke nga ai dialog, ndërsa për Serbinë është e rëndësishme që ajo të mos jetë një marrëveshje përfundimtare dhe të mos përfshijë njohje reciproke.
“Nga kjo perspektivë, propozimi franko-gjerman është shumë më afër qëndrimit të Serbisë sepse nuk paraqet marrëveshje përfundimtare dhe nuk përmban njohje reciproke në këtë fazë”, vlerësoi ai.
Bislimi theksoi se të dyja palët janë pajtuar që nuk është produktive të zbulohet dokumenti në këtë moment, sepse do të “vrasë shpirtin” e gjërave pozitive që duhet të sjellë dokumenti.
“Por i takon të dyja palëve të vendosin se kur do të jetë momenti i duhur për ta shpallur atë”, theksoi Bislimi.
Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për ri-regjistrim dhe zbatimin e tij në tri faza, Bislimi tregon se kanë vendosur që të mos fillojnë menjëherë me gjoba drastike, por vetëm me paralajmërime deri më 21 nëntor.
“Qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërime për ndërrimin e tyre sa më shpejt. Pas kësaj, policia do të duhet t’u shkruajë gjoba, në përputhje me ligjin, të cilat do të arrijnë në rreth 150 euro. Nga janari i vitit 2023 qytetarët do të marrin targa të përkohshme në këmbim të të vjetrave dhe shpresojmë që ky proces të përfundojë pa asnjë incident deri më 21 prill”, tha ai.
Bislimi përkujtoi se 21 prilli ishte afati i fundit për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për çështjen e targave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se në Bruksel nuk u arrit asnjë propozim përfundimtar sepse “pala serbe nuk ishte konstruktive dhe nuk pranoi asnjë nga propozimet e BE-së”.
Sipas tij, arsyeja pse ka pasur kërkesë nga Perëndimi për shtyrjen e afatit për riregjistrim është “shqetësimi për fushatën dezinformuese të presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj qytetarëve të Kosovës në komunat veriore, kërcënimi për paralelizëm, strukturat ilegale të financuara nga Beogradi dhe shqetësimi se Vuçiq është gati të ngrejë tensione për një problem të thjeshtë”.
“Kërkesa ishte gjithashtu që të mos konfirmojmë frikën që Vuçiq ka përhapur gjatë javëve të kaluara. Na kërkuan dhe donim të punonim për gjetjen e një mekanizmi për ta lehtësuar tranzicionin dhe për të rritur gatishmërinë e qytetarëve për t’iu bindur ligjit”, shtoi Bislimi./21Media 

Back to top button