Bislimi: Në dhjetor Kosova pritet të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE

(Lajm i përditësuar)
Mesi i muajit dhjetor është koha kur pritet që Kosova të aplikojë për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE). Kështu ka njoftuar të mërkurën zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi para deputetëve në Komisionin për Integrim Evropian.
Bislimi ka thënë se janë në koordinim të ngushtë me Presidencën çeke të BE, për ta konfirmuar datën.
Bislimi tregon se kur pritet të ndodhë votimi i radhës për vizat
Besnik Bislimi, ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën s’ka pasur kurrfarë ndërlidhje me procesin e dialogut.
Duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, Bislimi tutje tha se kushdo që mendon kështu, e ka gabim.
“Procesi i liberalizimit të vizave është lidhur me futjen në zbatim të sistemit të ETIAS që është sistem i regjistrimit të udhëtimeve nga vendet të cilat kanë regjim të udhëtimit pa viza drejt vendeve që janë anëtare të shëngenit. Propozimi i BE-së i grupit punues ka qenë që kosovarët të udhëtojnë pa viza që nga dita e parë kur fillon të zbatohet ETIAS, por meqë ka pasur pasiguri se a do të mund të zbatohet ETIAS nga data 1 nëntor është kërkuar futja e një date tjetër në rast se BE-ja vonohet me ETIAS, atëherë qytetarët është paraparë të lëvizin që nga data 1 dhjetor të vitit të ardhshëm. Ka pasur ndërhyrje të Spanjës që ka kërkuar që 1 dhjetor të zhvendoset më 1 janar në mënyrë që udhëtimi pa viza të mos ndodhë gjatë presidencës spanjolle”.
Bislimi shtoi se shtyrja e diskutimit të liberalizimit të vizave për Kosovën javën e kaluar, është bërë me qëllim të mirë për vendin tonë.
Bislimi sot në takim virtual me Lajçakun
Kryenegociatori Besnik Bislimi njoftoi se sot do të mbajë takim virtual me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“A do të ketë takime të radhës në Bruksel? Gjithsesi se do të ketë. Unë kam sot pasdite një takim virtual me Lajçakun ku do t’i definojmë hapat e radhës. Mendoj që shumë shpejt duhet të ketë edhe një takim në mes të liderëve të Kosovës dhe Serbisë”, tha Bislimi derisa po raportonte në Komisionin për Integrime Evropiane.
Bislimi i kundërpërgjigjet Deliut, pasi i tha “i ke shkaktuar dëme Kosovës”
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, iu kundërpërgjigj deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila e akuzoi atë se i ka shkaktuar dëme Kosovës. Duke i thënë “nëse thirrni në seancë për raportim për proces të dialogut, ju tregoj gjitha të arriturat tuaja në veri”
“Zonja Deliu përdori tri fjalë, që i përsërit vazhdimisht. Dështime në dialog, veprime të pamatura, veprime fëmijërore. Sikur ju të kishit çerekun e informacioneve që unë i kam se si është prezantuar Kosova deri në vitin 2021 në dialog, e si përfaqësohet tash, do të turpëroheshit të vinit në këtë seancë. Vetëm çerekun e informacioneve. Por, nëse thirrni në seancë për raportim për proces të dialogut, ju tregoj gjitha të arriturat tuaja në veri. Në sundimin e ligjit, kontrabandën, laboratorët e drogës, rrugët ilegale, përdorimi i dinarit, zgjedhjet e Serbisë në veri, mospagesa e rrymës, mospagesa e tatimit, mospagesa e ujit, targat e Millosheviqit, gjitha ‘të arriturat’ ju numëroj e flas për ‘shkatërrimin’ që u kemi bërë ‘sukseseve tuaja’. Duhet të jetë seancë tjetër, ku krahas ‘të arriturave tuaja ju tregoj shkatërrimet tona’”, ka thënë Bislimi.
Deputetja e PDK-së e akuzon Bislimin se i ka shkaktuar dëme Kosovës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, në Komisionin për Integrim Evropian e ka akuzuar zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, se i janë shkaktuar Kosovës dëme të mëdha me qasjen në dialog.
“Keni shkaktuar situatë, ku s’kemi funksion të institucioneve në veri të vendit. Kemi zero funksionim. Përtej faktit se kemi bërë të mundur funksionimin e pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, kemi zero funksionim tash në atë pjesë. Gjithë këtë e keni bërë brenda një viti, me veprimet tuaja të pamatura. Nuk është dëm i vogël. Kemi dhënë mbështetjen si opozitë për të shtrirë sovranitetin në veri, por duhet të flasim hapur, veriu nuk është i njëjti si para tri vjetëve. Nuk ka funksionim të institucioneve”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo po ashtu ka kërkuar nga Bislimi që t’i njohë meritat e opozitës, që ka votuar ligjet e po ashtu marrëveshjet ndërkombëtare.