Bislimi: Synim ynë i radhës, anëtarësimi në BE

(Lajm i përditësuar)

Bislimi u prit në takim nga Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Suedisë, Jan Knutsson 

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u prit në takim nga Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Suedisë, Jan Knutsson.

Sipas një njoftimi për media në këtë takim u bisedua mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe arritjet e fundit pozitive për vendin.

“Liberalizimi i vizave dhe avancimi në fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës janë hapa normal e të nevojshëm në kuadër të proceseve të Integrimit Evropian”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Bislimi foli mbi objektivat e synimet e radhës, ku puna dhe angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur.

Përtej vazhdimit të avancimit deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, marrja e pyetësorit dhe më tej e statusit të vendit kandidat vijojnë të mbeten prioritare dhe me vëmendje të veçantë.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova është gati për hapat e radhës e po e dëshmon këtë përmes sukseseve që vendi po i arrin dhe avancimit të shpejtë në përmbushjen e agjendës evropiane.

Bislimi: Synim ynë i radhës, anëtarësimi në BE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po qëndron për vizitë zyrtare në Suedi.

Ai është takuar edhe me ministren suedeze për Çështjen e Bashkimit Evropian, Jessika Roswall.

Bislimi tha se synimi i radhës është pranimi i statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Është bërë progres i rëndësishëm gjatë dy viteve të qeverisjes tonë në rrugën e integrimit në BE. Liberalizimi i vizave dhe kalimi në fazën tjetër të aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Bislimi.

Bislimi takohet me Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, flasin për zhvillimet e fundit

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, gjatë vizitës në Suedi u takua me Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Christina Danielsson.

Bislimi e Danielsson folën për rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian, liberalizimin e vizave e pranimin e aplikimit të Kosovës në KE.

“7 vite pas nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e reformave dhe agjendës evropiane. Vetëm në dyvjeçarin e fundit, është arritur miratimi i numrit më të lartë ndonjëherë të projektligjeve të reformave në kuadër të Integrimit Evropian”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Tutje, Bislimi tha se Kosova është e gatshme të bëjë hapa të rëndësishëm dhe solid në integrimin brenda familjes evropiane.

Back to top button