Bislimi takon zyrtaren e BE-së, bisedojnë rreth zhvillimeve në vend

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ditën e sotme është takuar me Kryesuesen e Divizionit për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Zuzana Michalcová Šutiaková.

Në një njoftim për media thuhet se në këtë takim është biseduar rreth aktualitetit dhe zhvillimeve në vend dhe rajon, si dhe për rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Bislimi në këtë takim ka përmendur edhe shifrat e vendeve të punës në Kosovë dhe nivelin e papunësisë në vend.

“Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri trajtoi dhe progresin që ka njohur vendi edhe në rrafshin ekonomik, ku tashmë i kemi rreth 75.000 vende më shumë të punës, të fokusuar tek punësimi i grave dhe të rinjve, e ku niveli i papunësisë është ulur nga 23.8% sa ishte para ardhjes sonë në qeverisje, në tash vetëm 10.8%”, thuhet në njoftim.

Zëvendëskryeministri Bislimi në këtë takim ka theksuar edhe nevojën për heqjen e masave të cilat vijojnë të jenë të padrejta e të qëndrojnë në fuqi edhe pas konstatimit të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në raportin e tij ku rekomandon heqjen e tyre./21Media

Back to top button