Bislimi thotë se Serbia po e pengon një donacion të Qeverisë për bujqit në Luginë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë se po pengon një donacion të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas Bislimit ky donacion “synon të përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit patur parasysh që edhe më tej komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfërat me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë”.

“Më 26 tetor 2024, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime. Ndërkohë, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike. Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës.”, ka shkruar Bislimi.

Bislimi ka thënë se Serbia nuk ka të drejtë të pengojë mbështetjen e Kosovës për shqiptarët e Luginës, teksa i ka bërë thirrje BE’së, OSBE’së dhe shteteve të QUINT’it që ta monitorojnë këtë situatë.

“Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pengojë mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ftojmë Bashkimin Evropian, OSBE-në, shtetet e Quint-it dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor.”, ka shkruar Bislimi.

Back to top button