Bizneset vazhdojnë ta padisin ZRRE-në

Bizneset vazhdimisht janë duke bërë padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji për anulimin e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se vazhdon të funksionojë zyra për përpilimin e padive ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), lidhur me vendimin për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Sipas OEK, kjo zyrë është krijuar për të ofruar mbështetje ligjore për të gjitha bizneset e prekura nga ky vendim dhe po shënon interesim të lartë nga ana e kompanive të cilat kanë nevojë për ndihmë në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për kontestimin ligjor.
“Ftojmë të gjitha bizneset që ndihen të dëmtuara nga ky vendim dhe që kanë nevojë për mbështetje në hartimin e padisë, të paraqiten pranë kësaj zyre brenda Odës Ekonomike të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.
Po ashtu edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimet e saj të thella përkitazi me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Bizneset e Kosovës kishin organizuar protestë kundër vendimit të ZRrE, pasi sipas përfaqësuesve të bizneseve një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi të rënduar në Kosovë.
Për anulimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë, KosovaPress ditë më parë ka siguruar edhe vendime që janë marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative më 25 qershor 2025.
Ankesa në Gjykatë ishte dorëzuar nga avokati Agron Selimaj nga Prishtina.
KosovaPress ka siguruar edhe aktvendimin e Gjykatës, në të cilën thuhet se sipas aktvendimit të datës 25 qershor 2025, Gjykata Komerciale, Departamenti për Çështje Administrative, ku thuhet se aprovohet si e bazuar propozimi i paditësit për caktimin e masës së sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të njoftimit. Më tej në këtë aktvendim thuhet se pezullohet ekzekutimi i njoftimit të datës 03.06.2025 për mos lejimin e paditësit, propozuesit të shtetëzoj furnizimin nga shërbimi universal, i nxjerr nga zyra e ZRRE, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.