Blerim Kuçi ftohet nga Gjykata Speciale

Kuçi do të paraqitet në Hagë në muajin mars

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi është i ftuari i radhës nga Gjykata Sepciale.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Kuçi përmes një komunikate për media.

Siç ka njoftuar deputeti i AAK-së, ai do të paraqitet në gjykatë në muajin mars.

“Sot kam marrë një fletëthirrje dhe një urdhëresë për t’u paraqitur para prokurorit të lartë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, me datë 12 Mars 2019. Natyrisht se unë do ta përmbush obligimin tim dhe do t’i përgjigjem kësaj urdhërese”. Është e sata herë që në këtë mënyrë sfidohen ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe bëhen përpjekje maksimale që të barazohet lufta jonë për liri me krimet më makabre që Serbia e ka bërë në Kosovë. Unë jam i bindur se edhe kjo përpjekje, si të gjitha të tjerat deri me tash, do të dështojë. Për momentin krejt çfarë di e kam për të deklaruar për opinionin publik, është kaq sa thash më sipër”, ka deklaruar Kuçi.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.

Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës. Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button