Blinken në Lindjen e Mesme në mes të shpërthimit të dhunës izraelito-palestineze

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti sot në Tel Aviv në një kohë kur dhuna mes Izraelit dhe palestinezëve është pëshkallëzuar. Nga atje sekretari amerikan tha se ka besim të palëkundur tek një zgjidhje e negociuar me dy shtete.
Para se të mbërrinte në Izrael, Blinken tha se Uashingtoni ka besim të palëkundur tek një zgjidhje e negociuar me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve. Ai u zotua që të nxisë të dyja palët, në kryeqytetin izraelit dhe në Bregun Perëndimor, që të ulin tensionet që nga fillimi i vitit kanë marrë jetën e dhjetëra njerëzve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i kërkoi Izraelit dhe palestinezëve të ulin tensionet në fillim të vizitës së tij në Izrael. Ai paralajmëroi gjithashtu kundër çdo nxitjeje për gjakderdhje të mëtejshme.
“Është përgjegjësi e të gjithëve që të ndërmarrin hapa për të qetësuar tensionet dhe jo për t’i ndezur ato. Unë do ta bëj të qartë këtë gjatë gjithë vizitës në Izrael dhe Bregun Perëndimor me të gjithë ata që takoj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit me të arritur në Izrael.
Para se të shkonte në Tel Aviv, Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken u tha gazetarëve në Kajro se “Uashingtoni ka besim të palëkundur në zgjidhjen e negociuar me dy shtete si e vetmja rrugë për një zgjidhje të qendrueshme për konfliktit”.
Nga 1 janari, të paktën 35 palestinezë, të armatosur dhe civilë, janë vrarë në aksionet pothuajse ditore nga ushtria izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë në Ramallah, duke e bërë këtë muaj më të përgjakshmin në Bregun Perëndimor nga viti 2015.
Raundi i fundit i bisedimeve të organizuara nga SHBA-të për themelimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit ka ngecur që nga viti 2014./21Media

Back to top button