Bllokohen 12 mjete lundruese nga Vlora në Sarandë

Policia në Shqipëri njoftoi se si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare, ka bllokuar 12 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.
Në Radhimë, Ksamil dhe Sarandë janë bllokuar 7 mjete lundruese Jet Ski. Dy drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për lundrim/bregëzim në zonë të ndaluar; dy drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 20 000 lekë të rinj, për mosregjistrim të mjeteve lundruese brenda afatit të përcaktuar me ligj; tre drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë të dokumentacionit në bord.
Në molin e portit të Vlorës janë bllokuar 2 anije turistike. Secili nga drejtuesit (kapitenët) u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për ushtrim të aktivitetit (turizmit detar) në kundërshtim me ligjin.
Në Gjipe u bllokua 1 mjet lundrues gomone. Drejtuesi u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord.
Në Dhërmi u bllokuan dy skafe për mungesë dokumentacioni. Drejtuesit e mjeteve lundruese u ndëshkuan me masë administrative me nga 10.000 lekë secili.
Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.