Bojkoti ndaj supermarketeve vazhdon edhe sot e nesër

Iniciativë e bojkotit ndaj supermarketeve po vazhdon edhe sot e nesër, me ç’rast i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bojkotojnë për shkak të çmimeve të larta. Kështu kanë bërë të ditur në rrjete sociale një grup i personave që kanë realizuar këtë iniciativë.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, për shkak të bojkotit të dyqaneve të hënën, më 10 shkurt, qarkullimi i bizneseve ka shënuar një rënie të lehtë prej mbi 100 mijë euro më pak, krahasuar me 3 shkurt(ditë e hënë).

Dyqanet kanë realizuar mbi 13 milionë e 496 mijë euro më 3 shkurt të këtij viti, derisa qarkullimi më 10 shkurt (hënë), ditën e bojkotit ka qenë rreth 13 milionë e 393 mijë euro ose 103 mijë e 99 euro më pak.

Në një përgjigje për kp, sipas këtij institucioni, këto të dhëna janë nga Sistemi për Pajisje Elektronike Fiskale (PEF) të cilët kanë transmetuar të dhëna me datën 3 dhe 10 shkurt, pasi siç thuhet në përgjigjen e tyre ATK nuk ka të dhëna që transmeton qarkullimin në kohë reale nga Pajisjes Fiskale të datës 3 shkurt dhe 10 shkurt.

“Ju informojmë se Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka të dhëna që transmeton qarkullimin në kohe reale nga Pajisjet Fiskale të datës 3 shkurt dhe 10 shkurt, sepse një pjesë e pajisjeve fiskale që janë në përdorim nga tatimpaguesit janë të vjetra dhe transmetojnë të dhënat një herë në muaj në sistemin e ATK-së dhe për këtë shkak ne nuk kemi mundësi te dimë saktësinë e transaksioneve që kanë ndodhur për ato dite të caktuara. Në tabele keni të dhënat nga Sistemi për PEF të cilët kanë transmetuar të dhëna me datën 3 dhe 10 shkurt dhe kjo është gjendja aktuale: Qarkulli me datën 3 është, 13,496,181.91 euro, ndërsa më 10 shkurt, 13,393,082.21 euro”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Kujtojmë se, qytetarë të shumtë i janë bashkuar të hënën iniciativës për bojkotimin e supermarketeve si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Ata e përkrahën këtë iniciativë, duke theksuar se shteti duhet të ndërmarrë masa për të ndaluar këtë dukuri. Iniciativa ka marrë mbështetje në rrjete sociale, ku është formuar një grup i qytetarëve që kanë bërë thirrje për bojkotin, i cili ka fituar mbështetje nga më shumë se 6 mijë qytetarë, ndërsa mbi 200 mijë të tjerë janë informuar për të./kp

Back to top button