Bordi i Trepçës: Po punojmë intensivisht që punëtorët të marrin pagat

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka bërë të ditur se minatorët e ndërmarrjes “Trepça” ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.
Përmes një komunikate për media, udhëheqësia e “Trepça Sh.A.” ka njoftuar se po punohet intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare dhe për t’u siguruar që punëtorët të marrin pagat e tyre.
Lidhur me këtë ka reaguar Ndërmarrja Trepça Sh.A. duke thënë se po punojnë për të u dhënë minatorëve përgjigjen e duhur.
“Udhëheqja e ndërmarrjes Trepça Sh.A. po punon intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare, në mënyrë që punëtorët të marrin pagat dhe minatorët t’i kthehen punës në minierën me flotacion Trepça-Stan Tërg.
Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj, po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.”, thuhet në reagimin e Trepçës.
Më tej në komunikatë thuhet se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara.
“Bordi Mbikëqyrës ka treguar përkushtimin e vet, duke takuar organizatën dhe përfaqësuesit e punëtorëve që në marrje të detyrës dhe duke i njoftuar në vazhdimësi për planin dhe veprimet e shpejta që priten të merren.
Udhëheqja e ndërmarrjes e kupton rëndësinë e kërkesës së minatorëve dhe po punon me përkushtimin më të lartë për t’u dhënë përgjigjen e duhur, për të rifilluar punën e minierës me flotacion Trepça-Stan Tërg dhe për të stabilizuar operimet e ndërmarrjes.
Vërejmë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar.”, përfundon reagimi./21Media