Boris Johnson fiton zgjedhjet në Britani

Britanikët votuan dje për qeverinë e re

Partia Konservatore e kryeministrit britanik, Boris Johnson, udhëheq bindshëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 364 deputetë, tregojnë rezultatet paraprake. Kjo do të thotë se Konservatorët kanë dhjetëra deputetë më shumë se shumica e nevojshme prej 326 ligjvënësish për të formuar qeverinë.

Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar u mbajtën të enjten. Sipas rezultateve paraprake, Partia Laburiste siguroi 203 deputetë, Partia Kombëtare e Skocisë 48 dhe Liberal-Demokratët 11.

Johnson tha se partia e tij ka siguruar mandat të fuqishëm për të përfunduar Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. “Jo vetëm kaq, por edhe ta bashkojmë vendin dhe ta çojmë përpara. Mendoj se këto janë zgjedhje historike që na japin mundësinë të respektojmë vullnetin e qytetarëve, ta ndryshojmë këtë vend për më mirë dhe të hapim potencialin e të gjithë qytetarëve të tij”, tha Johnson.

Përmes një postimi në Twitter, ai i falënderoi qytetarët britanikë dhe u shpreh: “Jetojmë në demokracinë më të madhe në botë”.

Nëse rezultatet konfirmohen, kjo do të jetë fitorja më e madhe e Konservatorëve qysh në vitin 1987 dhe rezultati më i keq i Laburistëve qysh më 1935, pasi këta të fundit mund të humbasin 71 vende.

Udhëheqësi i Laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se partia e tij pati një “natë shumë zhgënjyese” dhe se ai nuk do të luftojë më në zgjedhje të ardhshme.

Këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se pesë vjet./REL

Back to top button