Borrell: Do ta ftoj Kosovën e Serbinë për takim në Bruksel javën e ardhshme

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, e ka quajtur arrestim kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës të mërkurën. Ai ka bërë të ditur se do t’i ftojë në një takim urgjent Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme në Bruksel.

“E dini se ka pasur një incident atje lidhur me arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga Kosova dhe ne po përpiqemi të kuptojmë saktë se çka ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe të dyja palët në mënyrë që të shohim se çka ka ndodhur në të vërtetë që ka shpirë në këtë arrestim”, ka thënë Borrell për gazetarët para nisjes së takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së me NATO-n.

Borrelli ka bërë të ditur se ndërkohë do t’i ftojë dy shtetet në takim.

“Në ndërkohë, duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren dhe duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një modalitet të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Back to top button