Borrell i bindur se mund të zgjidhet edhe çështja e tabelave
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka shprehur sonte bindjen se është e mundur të zgjidhet problemi i hapur për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Borrell, në një intervistë për shërbimin publik austriak ORF, ka theksuar se paqja në rajon është shumë e brishtë, por se marrëveshja për lirinë e udhëtimit është një hap pozitiv.
“Ne operojmë në modalitetin e parandalimit të krizave. Kriza mund të kishte shpërthyer më 1 shtator nëse nuk do të kishim arritur një marrëveshje për kalimin e kufijve. Ky është një lajm i mirë”, ka deklaruar ai.
Borrell ka treguar se çështja për tabelat është ende e hapur.
“Jam i bindur se mund ta zgjidhim edhe këtë”, ka shtuar Borrell.
Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dje ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.