Borrelli: Propozimin franko-gjerman është imi e i Lajçakut

Thotë se ky propozim është mbështetur nga Gjermania e Franca

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se plani franko-gjerman është propozim që është bërë nga vetë ai dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e që ka përkrahjen e Gjermanisë dhe Francës.
“Propozimin që kemi prezantuar, e jam i lumtur të them, se Franca e Gjermania kanë qenë përkrahëse të propozimit, i ashtuquajturi propozim franko-gjerman, është propozim nga unë e Lajçaku, që përkrahet nga Gjermania e Franca. Propozimi evropian të them. Ne duam të dalim nga pozita e menaxhimit të krizave. Në dy-tre vjetët e fundit jam marrë me menaxhim të krizave. Targa, apo çfarëdo qofshin ato. Nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Duam një qasje më strukturore. Çështje më të thella, që të parandalohen krizat. Këto janë hapa para, qasje e re. Dua të them se dyja palët, nuk do të thosha se pajtohen, por nuk e refuzojnë propozimin. Kjo është shumë mirë”, ka thënë Borrell.
Ai ka thënë se momentalisht është një krizë e re mes Kosovës e Serbisë ajo e targave. Ai ka thënë se shpreson që të evitohet ndonjë përplasje.
“Nuk mund të hyjë në detaje të propozimit. Janë dy faqe, por mund të them se prezantojnë një rrugë për të shkuar te një zgjidhje që nuk varet te krizat e përditshme”, tha Borrell.
Ai ka thënë se është e qartë se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e kaluara të arritura në Bruksel. Ai ka thënë se Serbia ka bërë rrugë para gjatë verës, duke arritur marrëveshje për letërnjoftime.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Poltikë të jashtme Josep Borrell, ka ftuar kryenegociatorët për të diskutuar.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi mbrëmë ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të zhvillojë bisedime në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për portalin rtv21.tv ka thënë Bislimi atje do të takohet edhe me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe./21Media

Back to top button