Brenda 24 orëve tri grabitje të armatosura

Grabitje në kryeqytet dhe Gjilan

Policia e Kosovës sot përmes raportit 24-orësh ka njoftuar se vetëm dje kanë ndodhur tri grabitje të armatosura.

Dy grabitje sipas policisë kanë ndodhur në kryeqytet dhe një tjetër në Gjilan.

Në një lokal në rrugën “Taulantia”, në Prishtinë ka hyrë një i panjohur dhe ka grabitur 200 euro para të gatshme.

“Viktima mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se derisa ishte në vendin e punës, ka ardhur një person i panjohur, i maskuar dhe i armatosur, ku nën kërcënimin e armës-revole, i kishte grabitur para të gatshme në shumën prej 200 (dyqind) € dhe është larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti tjetër është shënuar në rrugën “Faik Konica”, po ashtu në Prishtinë. Sipas policisë viktimës ia kanë grabitur 270 euro.

“Viktima mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se derisa ishte në vendin e punës, aty kishin shkuar dy persona të maskuar dhe të armatosur, njëri me armë të gjatë dyshohet të ketë qenë AK-47 dhe tjetri pistoletë, nën kërcënimin e armëve, viktimës ia kanë grabitur para të gatshme në shumën prej 270 (dyqindeshtatëdhjetë) € dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet tutje në raportin e policisë.

Një rast tjetër i grabitjes me maska e armë ka ndodhur edhe në Gjilan në rrugën “Qarkore”. Sipas policisë dy të dyshuar të panjohur e të maskuar kanë hyrë brenda në një lokal dhe nën kërcënimin e armës viktimës ia kanë grabitur portofolin me para dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. “Dyshohet se të dyshuarit kanë qenë në bashkëpunim me të dyshuarin e tretë dhe kanë përdorur automjetin”, thuhet në raporin e policisë.

Këtyre rasteve iu janë përgjigjur njësitë relevante policore./21Media

Back to top button