Britania e Madhe: Asociacioni nuk është krijimi i një Republika Srpska, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach tha se Britania e Madhe e dënon sulmin e grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator si një incident shumë serioz dhe kërkon hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë.
“Natyrisht, gjeografia dihet mirë dhe gjeografikisht këto dyja vende janë afër. Nga përvoja ime ka nevojë të vërtetë për siguri të kufirit dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta policore nga dyja anët e atij kufirit. Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës. Përvoja jonë e gjatë nëpër vende të ndryshme të botës na mëson që policisë duhet t’i jepet përparësi. I nxisim të gjithë të ulin retorikën dhe të përqëndrohen në hetime të mirëfilltë për të përcaktuar faktet.”, tha emisari britanik në një intervistë për Zërin e Amerikës
Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngjallur kujtimet e së kaluarës dhe ka shtuar tensionet në Ballkan dhe se Londra mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të çojë në një formë normalizimi sa më shpejt.
Peach thekson se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk është krijimi i një Republika Srpska tjetër në Kosovë, por i një asociacioni që merr parasysh interesat e të gjitha palëve dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor.”, tha ai.