Britania e Madhe “nuk do ta njohë kurrë” aneksimin e Krimesë nga Rusia
Kryeministri në largim, Boris Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar “nuk do ta njohë kurrë” aneksimin e Krimesë nga Rusia, ose “ndonjë territor tjetër ukrainas”.
Në një fjalim drejtuar Platformës së Krimesë, Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do t’i japë Kievit mbështetje ushtarake, humanitare, ekonomike dhe diplomatike derisa “Rusia t’i japë fund kësaj lufte të tmerrshme dhe të tërheqë forcat e saj nga e gjithë Ukraina”.
Johnson, i cili do të largohet nga detyra në fillim të shtatorit, e përshkroi aneksimin nga Rusia të gadishullit të Detit të Zi në 2014 si “pararendësin e drejtpërdrejtë” të luftës së sotme, transmeton rtv21.tv.
Ai akuzoi presidentin Putin për injorimin e faktit se Rusia e kishte njohur në mënyrë të përsëritur Krimenë si pjesë e Ukrainës dhe për thyerjen e marrëveshjeve të shumta ndërkombëtare.
“Putini po planifikon t’i bëjë të gjithë Ukrainës atë që i ka bërë Krimesë, dhe ai po përgatit më shumë aneksime dhe më shumë referendume të rreme”, duke thënë se ishte e rëndësishme që vendet të qëndrojnë së bashku për të siguruar që asnjë vend nuk mund të “marrë territorin apo të ndryshojë kufijtë” me forcën e armëve”./21Media