BSPK: Policët në veri janë pa ushqim e mjete higjienike

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka reaguar për situatën në veri duke thënë se janë tejet të shqetësuar, sidomos për gjendjen e policëve të bllokuar që nga e shtuna, në vendkalimin kufitar Jarinjë, për të cilët thonë se po veprojnë dhe kryejnë detyrat në kushte tejet të vështira, pa ushqimet dhe mjetet e duhura higjienike.
Kjo sindikatë kërkon nga Qeveria, KFOR-i dhe EULEX-i që t’u dalin në krahë policëve.
Në reagimin e BSPK-së ndër tjera thuhet se veprimi i duhur i Qeverisë në bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in dhe EULEX-in është t’i zhbllokojë rrugët që policët tanë, po edhe qytetarët, të mund të lëvizin lirshëm.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i tej shqetësuar për situatën ne veri të vendit e sidomos për gjendjen e policëve të bllokuar që nga e shtuna, 10 dhjetor 2022, në vendkalimin kufitar Jarinje të cilët janë duke vepruar e kryer detyrat në kushte tejet të vështira, pa ushqimet e duhura dhe pa mjetet e duhura higjeno-teknike, kërkon nga Qeveria, KFOR-i dhe EULEX-i që t’u dalë krah. Veprimet ekstremisht të papranueshme të grupeve kundërqytetare e antidemokratike të prishësve të rendit dhe të qetësisë e pengueseve të punës së policisë duhen ndaluar sa më parë dhe për këtë shpresojmë që Qeveria në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in do t’ia dalë ta kthejë rendin dhe ta sjellë qetësinë, e policëve të bllokuar t’ua mundësojë kryerjen e detyrës. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që veprimi i duhur i Qeverisë në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in do të zhbllokojë rrugët që policët tanë po edhe qytetarët tanë të mund të lëvizin lirshëm”, thuhet në reagimin e BSPK-së./21Media

Back to top button